Vendosni fjalën kyçe....

Shkoi për të çarë rrethimin e Gazës, ministri izraelit mesazh Greta Thunberg-ut: Kthehu, s’do arrish dot


Ministri i Mbrojtjes, Izrael Katz, tha të dielën se ka urdhëruar ushtrinë të bllokojë një anije pro-palestineze që po shkonte drejt Rripit të Gazës, duke u zotuar se nuk do lejohet të arrijë në destinacionin e saj.

Anija, e quajtur “Madleen”, mund të mbërrijë që të hënën, nëse nuk ndalet nga forcat detare izraelite. Katz tha se anija do ndalet “me të gjitha mjetet e nevojshme” dhe tregoi se ka të ngjarë të ridrejtohet në portin e Ashdodit nëse kapet.

“Izraeli nuk do lejojë asnjë shkelje të bllokadës detare në Gaza, qëllimi kryesor i së cilës është të parandalojë arritjen e armëve te Hamasi”, tha Katz. Duke iu drejtuar aktivistes së klimës Greta Thunberg dhe anëtarëve të tjerë të flotës së saj, ai shtoi: “Gretës antisemite dhe miqve të saj propagandistë të Hamasit, u them qartë: kthehuni prapa – nuk do ta arrini Gazën. Izraeli do veprojë me vendosmëri kundër çdo përpjekjeje për të thyer bllokadën ose për të mbështetur organizatat terroriste – qoftë nga deti, ajri apo toka.”

Në përgjigje, një grup qytetarësh privatë izraelitë po organizojnë një kundër-flotilje për të larguar anijen “Madleen” dhe për të protestuar si kundër misionit të saj, ashtu edhe kundër përfshirjes së Thunberg. Nisma do niset nga Ashdodi dhe pjesëmarrësit po e financojnë këtë përpjekje në mënyrë të pavarur, duke kontribuar secili me afërsisht 80 dollarë.

Kundër-flotilja, e udhëhequr nga aktivistë mjedisorë kritikë ndaj Thunberg, synon të shërbejë si një demonstrim kundër anijes që shkon në Gaza dhe si një dënim më i gjerë i asaj që organizatorët e quajnë “hipokrizi klimatike” dhe “standarde të dyfishta antisemite”.

Deri tani, vetëm një jaht me kapacitet 10 personash është konfirmuar për flotën e protestës. Policia ka kontaktuar organizatorët për të mbikëqyrur gjendjen. Protestuesit thonë se nuk kanë ndërmend t’i afrohen brigjeve të Gazës, por vetëm ta bëjnë të dukshëm kundërshtimin e tyre.

“Jemi këtu për të ekspozuar hipokrizinë e Gretha-s”, tha Maya, një nga organizatoret e protestës, në një intervistë me Ynet.

“Si ambientalist, e kam parë dëmin që ajo ka shkaktuar. Tani ajo po përdor flotiljen e Gazës si platformë për axhendën e saj. Ajo nuk është aktiviste – ajo është provokatore. Ne nuk kërkojmë përplasje. Ne thjesht duam të bëjmë një deklaratë.”

Ndërkohë, aktivistët në bordin e “Madleen” thonë se po përgatiten për një përplasje të mundshme me forcat izraelite. Yasmine Ajar, një nga pasagjerët pro-palestinezë, i tha rrjetit Al-Araby të Katarit se anija ishte afërsisht 160 milje larg Gazës, duke shtuar: “Nuk e dimë ende se kur do arrijmë saktësisht.”

Ajo dënoi qeveritë botërore për mosveprim, duke thënë: “Ato duhet të turpërohen. Furnizimi me armë për Izraelin duhet të ndalet. Mesazhi ynë është i thjeshtë: mos heshtni – ndërmerrni veprime për popullin e Gazës.”

Ajar konfirmoi se flotilja pritet të kapet.

“Ne jemi në ujëra ndërkombëtare. Nëse Izraeli na sulmon, do kryejë një krim lufte”, pohoi ajo, duke pretenduar se tre anije detare izraelite ishin tashmë rrugës.

“Do e shohim se si do të shkojë.”

“Netanyahu duhet t’i japë fund luftës në Gaza në vend që të përqendrohet tek ne. Jemi 12 veta në bord dhe jemi optimistë. Izraeli nuk do na ndalojë. Do e thyejmë bllokadën. U sulmuam katër javë më parë në ujëra ndërkombëtare dhe askush nuk u përgjigj. Rrethimi vazhdon sepse bota hesht. Ne themi: mos u shqetësoni për ne – shqetësohuni për popullin e Gazës.”

Dr. Baptiste Andrée, një pjesëmarrës tjetër, i tha Al Jazeera-s: “Kemi pasur dronë sipër kokës për orë të tëra. Jemi në kontakt me Ministrinë e Jashtme Franceze dhe palët e tjera. Po mbajmë një sasi simbolike furnizimesh mjekësore dhe po bëjmë thirrje për t’i dhënë fund rrethimit.”

Aktivistët planifikojnë të transmetojnë drejtpërdrejt çdo takim me forcat izraelite.

“Jemi shumë të lumtur që po shkojmë, që po lundrojmë,” tha ajo. Thunberg dhe 11 pjesëmarrësit e tjerë u nisën nga Siçilia më 1 qershor.

Organizatorja e flotiljes Huwaida Arraf i tha Al-Araby se Izraeli po bllokon në mënyrë aktive komunikimet.

“Jemi në kontakt me ekuipazhin,” tha ajo, “por presim ndërprerje të mëtejshme dhe ndoshta një sulm të drejtpërdrejtë.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Ynetnews

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani