Vendosni fjalën kyçe....

PD denoncon Anuela Ristanin për abuzim me detyrën, kërkon hetim nga prokuroria dhe zgjedhje të parakohshme në Tiranë


Partia Demokratike ka akuzuar kryetaren e komanduar të Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, për abuzim me detyrën dhe përdorim të mjeteve të bashkisë për interesa personale. Denoncimi vjen pas transmetimit të pamjeve filmike nga emisioni investigativ Piranja në Syri TV.

Në një deklaratë për media, Dorjan Teliti, nënkryetar i Këshillit Bashkiak dhe këshilltar për çështjet ekonomike pranë PD-së, akuzoi Ristanin për përdorim të aseteve publike në dobi të vetes dhe të afërmve të saj, si dhe për sjellje të papërshtatshme ndaj gazetarëve që hulumtonin rastin.

PD i kërkon prokurorisë të nisë hetimet mbi rastin dhe kërkon që çështja të shtohet në rendin e ditës të mbledhjes së radhës të Këshillit Bashkiak të martën. Partia opozitare gjithashtu kërkon largimin e menjëhershëm të Anuela Ristanit nga detyra dhe shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut, duke bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme në Tiranë.

“Paratë e taksapaguesve të Tiranës duhet të shkojnë për shërbime publike, jo për interesa private të drejtuesve të bashkisë,” u shpreh Teliti, duke falënderuar median për investigimin dhe duke inkurajuar denoncime të mëtejshme ndaj abuzimeve me pushtetin.