
Qytetarët italianë pritet të votojnë këtë të diel dhe të hënë në dy referendume të rëndësishme, që synojnë të sjellin ndryshime thelbësore në ligjin për shtetësinë dhe në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, përcjell REL. Një nga propozimet më të diskutuara është ai që do t’u lehtësonte fëmijëve të lindur në Itali nga prindër të huaj, marrjen e shtetësisë italiane.
Megjithatë, fati i këtyre referendumeve është ende i pasigurt, për shkak të ndërgjegjësimit të ulët publik dhe frikës se pjesëmarrja nuk do të arrijë pragun minimal prej 50% +1, çka do të çonte në pavlefshmërinë e votimit.
Reforma për shtetësinë synon të ulë periudhën e qëndrimit të nevojshme për aplikim nga 10 në 5 vjet, duke u dhënë shpresë rreth 2.5 milionë banorëve pa pasaportë italiane, që janë të lindur dhe rritur në vend, por nuk gëzojnë të drejta të plota qytetarie.
Një nga zërat më të njohur në mbështetje të reformës është këngëtari me origjinë tuniziane, Ghali, i cili tha:
“Kam lindur dhe jam rritur në Milano, por e mora shtetësinë vetëm në moshën 18-vjeçare. Kjo nuk është normale. Kërkoj që njerëzit të dalin e të votojnë për të drejtën e gjeneratës sime që të ndihen realisht pjesë e këtij vendi.”
Referendumet janë propozuar nga sindikatat kryesore dhe partitë opozitare të majta, të cilat kërkojnë përputhje më të madhe të ligjeve italiane me ato të Bashkimit Evropian.
Kryeministrja Giorgia Meloni ka bërë të ditur se do të paraqitet në qendrat e votimit, por nuk do të votojë – një qëndrim që opozita e ka kritikuar si jodemokratik dhe pasiv, pasi mund të ndikojë negativisht në përpjekjet për arritjen e kuorumit.
Nëse miratohen, ndryshimet do të ulnin pengesat ligjore për integrimin e të huajve në jetën sociale dhe politike të vendit, duke lejuar qasje më të lehtë në punësimin publik, të drejtën e votës dhe lirinë e lëvizjes brenda BE-së.