Vendosni fjalën kyçe....

Balliu në Berlin: Farsa elektorale e Ramës nuk mund të ndalojë aspiratën europiane të shqiptarëve


 

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka zhvilluar një sërë takimesh të nivelit të lartë në Berlin, ku është pritur nga përfaqësues të Bundestagut gjerman dhe të Parlamentit Europian, si dhe nga figura me peshë të politikës gjermane dhe ndërkombëtare.

Gjatë vizitës zyrtare, Balliu u takua me Tilo Braune, ish-Sekretar Shteti në Ministrinë Federale për Transport, Ndërtim dhe Strehim të Gjermanisë, me George Tsereteli, ish-President i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, si dhe me deputetin gjerman Volkmar Klein.

Në këto takime, ai shprehu shqetësimin për gjendjen e demokracisë në Shqipëri dhe tha se kapja e institucioneve nga Kryeministri Edi Rama ka çuar në degradimin e standardeve demokratike.

“Zgjedhjet vendore të 11 majit përfaqësojnë një proces tërësisht të deformuar, të përdorur për konsolidimin e pushtetit personal, në kundërshtim me parimet e një sistemi demokratik funksional,” deklaroi Balliu.

Ai theksoi se aspirata europiane e Shqipërisë është një projekt kombëtar që i përket qytetarëve dhe nuk mund të pengohet nga interesa politike të ngushta apo tendenca autokratike.

Shteti i së drejtës dhe funksionimi mbi vlera perëndimore janë themelet e integrimit. Asnjë farsë elektorale nuk mund të shuajë vullnetin e shqiptarëve për t’u bërë pjesë e BE-së,” shkruan Balliu.