
Një zjarr i madh përfshiu mesditën e 7 qershorit fushën e mbetjeve në periferi të Vlorës, duke krijuar ndotje masive dhe shqetësim për banorët e zonës. Tym i dendur u përhap mbi disa lagje përreth dhe arriti deri në zonën turistike të Lungomares.
Ndërhyrja e zjarrfikësve u vështirësua për shkak të erës së fortë.
Kryetari i Bashkisë, Ermal Dredha, e cilësoi ngjarjen si një zjarrvënie të qëllimshme dhe papërgjegjshmëri njerëzore. Ai bëri me dije se është depozituar një kallëzim penal për të gjitha strukturat që kishin për detyrë të parandalonin këtë situatë, përfshirë edhe institucionet që varen nga vetë bashkia.
Reagimi:
“Si pasojë e një rrethane të përsëritur dhe të patolerueshme të zjarrëvënies së qëllimshme apo papërgjegjshmërisë njerëzore, në fushën e mbetjeve, bashkia në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka bërë kallëzim penal për të gjitha hallkat që duhet të monitorojnë dhe kujdesen që ngjarje të tilla të mos ndodhin më, përfshi edhe institucionet që varen nga bashkia. Organet ligjzbatuese janë vënë në veprim për të dënuar cilindo që përpiqet të dëmtojë imazhin e qytetit në nisjen e sezonit turistik.
Sidoqoftë, janë marrë masat e menjëhershme për shuarjen e zjarrit dhe mospërsëritjen e kësaj ngjarje të shëmtuar!”.