
Një tërmet me magnitudë 5.3 të shkallës Rihter goditi mesditën e sotme rajonin e Athosit në Greqi, duke shkaktuar panik në disa zona dhe duke u ndjerë ndjeshëm edhe në qytetin e Selanikut.
Sipas të dhënave të publikuara nga institucionet sizmologjike greke, epiqendra e tërmetit ndodhej në det, rreth 9 kilometra në perëndim-veriperëndim të Karive, në një thellësi prej 12.5 kilometrash.
Vetëm pesë minuta pas tërmetit kryesor, zona u godit nga një tjetër lëkundje me magnitudë 3.8 ballë, e cila konfirmon aktivitetin e shtuar sizmik në rajon.
Deri më tani nuk raportohet për dëme materiale apo të lënduar, por autoritetet po monitorojnë situatën me kujdes dhe u kanë bërë thirrje banorëve që të qëndrojnë të qetë dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare në rast pasgoditjesh të tjera.