Vendosni fjalën kyçe....

Të paktën 13 iranianë humbin jetën gjatë Haxhit për shkak të temperaturave ekstreme


Të paktën 13 shtetas iranianë kanë ndërruar jetë gjatë pelegrinazhit të Haxhit në Arabinë Saudite, njoftoi të shtunën agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA, duke cituar Gjysmëhënën e Kuqe Iraniane.

Shkaku i vdekjeve nuk u saktësua, por autoritetet iraniane paralajmëruan për rrezikun e goditjes nga të nxehtit, duke theksuar nevojën për të shmangur ekspozimin ndaj diellit dhe për të qëndruar të hidratuar.

Temperaturat në qytetet e shenjta saudite kanë arritur deri në 47°C ditët e fundit, duke rritur ndjeshëm rrezikun për shëndetin e pelegrinëve. Këtë vit, rreth 86,700 iranianë kanë marrë pjesë në Haxh.

Vitin e kaluar, mbi 1,300 njerëz humbën jetën gjatë pelegrinazhit, përfshirë 22 iranianë, kur temperaturat shënuan mbi 51°C.

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se vala e të nxehtit përbën një kërcënim gjithnjë e më të madh, me qindra mijëra vdekje çdo vit në të gjithë botën, një numër që mund të jetë shumë më i lartë në realitet.