
Tre prej ndihmësve kryesorë të presidentit amerikan Donald Trump do të takohen të hënën në Londër me zyrtarë kinezë për të diskutuar mbi mosmarrëveshjet tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë. Në përfaqësim të SHBA-së do të jenë Sekretari i Thesarit Scott Bessent, Sekretari i Tregtisë Howard Lutnick dhe Përfaqësuesi për Tregtinë Jamieson Greer, siç njoftoi Trump në platformën e tij Truth Social.
Nga ana tjetër, ministria kineze e jashtme bëri me dije se zv/kryeministri He Lifeng do të jetë në Mbretërinë e Bashkuar nga 8 deri më 13 qershor dhe gjatë kësaj vizite do të zhvillohet takimi i parë i mekanizmit të konsultimeve ekonomike dhe tregtare midis Kinës dhe SHBA-së, përcjell Reuters.
Takimi vjen pas një telefonate mes Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping, ku dy liderët ranë dakord të vizitojnë njëri-tjetrin dhe të zhvillojnë bisedime për të zbutur tensionet tregtare, të cilat kanë shqetësuar tregjet globale. Një marrëveshje 90-ditore e arritur më 12 maj në Gjenevë për uljen e tarifave reciproke ka sjellë një rritje në tregjet financiare, por sfidat më të gjera midis dy vendeve mbeten të pazgjidhura.
Ndërsa SHBA ka shqetësime për modelin ekonomik kinez dhe çështje të tjera si tregtia ilegale e fentanylit dhe statusi i Tajvanit, Kina përdor eksportet e mineraleve të rralla si levë presioni. Në vitet e fundit, SHBA-ja ka identifikuar Kinën si rivalin kryesor ekonomik dhe ushtarak në botë.