Vendosni fjalën kyçe....

Vidhnin banesa e lokale në Tiranë, 2 të arrestuar, një në kërkim


Dy persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, si autorë të dyshuar të disa vjedhjeve në banesa dhe lokale.

Në pranga kanë rënë shtetasit E.D., 20 vjeç dhe A.K., 33 vjeç, ndërsa vijon kërkimi për 21-vjeçarin E.G. Sipas policisë, E.D. dhe E.G. dyshohet se gjatë majit dhe qershorit kanë kryer vjedhje në një banesë dhe dy lokale. Ndërkohë, A.K. dyshohet se ka vjedhur një shumë parash në një banesë në fshatin Arbanë.

Gjatë operacionit u sekuestruan disa bizhuteri, një shumë parash dhe një automjet.

Njoftimi:

DVP Tiranë/Vijojnë hetimet dhe veprimet operacionale, për zbardhjen e vjedhjeve.

Identifikohen 3 autorë vjedhjesh në banesa dhe në lokale.

Vihen në pranga 2 prej tyre dhe shpallet në kërkim tjetri.

Sekuestrohen disa bizhuteri dhe një shumë lekësh, të dyshuara të vjedhura, si dhe një automjet.

Si rezultat i hetimeve të kryera rreth denoncimeve për vjedhje në banesa dhe në subjekte, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, mundësuan zbardhjen e autorësisë së 4 prej këtyre rasteve. Konkretisht:

-u vu në pranga shtetasi E. D., 20 vjeç dhe u shpall në kërkim shtetasi E. G., 21 vjeç, pasi dyshohet se gjatë periudhës maj-qershor, kanë vjedhur para dhe sende me vlerë, në 1 banesë dhe në 2 lokale;

-u vu në pranga shtetasi A. K., 33 vjeç, pasi dje, dyshohet se ka vjedhur një shumë parash në një banesë në fshatin Arbanë.

Punohet për kapjen e 21-vjeçarit, si dhe për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.