
Qeveria shqiptare ka miratuar sot Programin Kombëtar të Praktikave të Punës në administratën shtetërore dhe institucionet publike, një nismë që synon të trajnojë çdo vit 600 të rinj dhe të punësojë 250 prej tyre me kontratë 1-vjeçare në sektorin publik.
Vendimi u mor në mbledhjen e datës 4 qershor të Këshillit të Ministrave, me propozim të Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët dhe në bazë të nenit 100 të Kushtetutës dhe ligjit “Për Rininë”.
Programi parashikon trajnim 3-mujor përmes praktikës në administratën publike dhe më pas përzgjedhjen e kandidatëve më të kualifikuar për punësim 1-vjeçar me kontratë.
Sipas VKM-së, praktikantët do të përfitojnë trajtim me ushqim dhe pagesë ditore prej 500 lekësh, të financuar nga buxheti i shtetit përmes Agjencisë Kombëtare të Rinisë.
Programi i trajnimit do të zhvillohet pranë Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), ndërsa përvoja 3-mujore dhe periudha e punësimit do të njihen si vjetërsi pune në rast aplikimesh të ardhshme për pozicione në administratë.
Kriteret për aplikim
Në program mund të aplikojnë të rinjtë nga mosha 21 deri në 29 vjeç, të diplomuar në ciklin e parë ose të dytë të studimeve, që nuk kanë qenë pjesë e programit më parë dhe që nuk kanë qenë të punësuar më parë në administratën publike.
Përjashtim bën vetëm rasti i punës si punonjës administrativ.
Çdo vit, deri në 600 të rinj do të përfshihen në programin 3-mujor të praktikës. Në përfundim, deri në 250 praktikantë do të përzgjidhen për punësim 1-vjeçar, përkatësisht deri në 200 në administratën shtetërore dhe deri në 50 në institucione të tjera publike.
Përzgjedhja do të bëhet nga institucionet pritëse, në bazë të performancës gjatë praktikës dhe mbylljes me sukses të programit të trajnimit të ASPA-s.
Ministria e Shtetit për Rininë do të ketë rolin e sekretariatit teknik dhe do të koordinojë procesin ndërinstitucional.
Aplikimi do të bëhet nëpërmjet një platforme elektronike zyrtare. Institucionet pjesëmarrëse do të përcaktojnë numrin dhe profilin e praktikantëve që pranojnë dhe do të caktojnë mbikëqyrës për secilin prej tyre.
Ky program synon të ofrojë një urë lidhëse mes arsimit dhe tregut të punës, duke integruar të rinjtë profesionistë në jetën institucionale dhe duke kontribuar në zhvillimin e tyre profesional.