
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, zhvilloi takime të ndara me homologun sllovak Robert Fico dhe presidentin francez Emmanuel Macron, ku në fokus ishte lufta në Ukrainë dhe mundësitë për arritjen e një paqeje të qëndrueshme.
Fico u prit në Pallatin Chigi në orët e pasdites, ku palët diskutuan për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimin në fushën e energjisë. “Vlerësoj shumë qasjen pragmatike të kryeministres italiane,” tha Fico pas takimit. Ai shtoi se Meloni ishte veçanërisht e interesuar për qëndrimin e Sllovakisë për shkak të afërsisë gjeografike me Ukrainën.
Fico theksoi gjithashtu kundërshtimin ndaj strategjive që sipas tij zgjatin konfliktin për të dëmtuar Rusinë, një qasje që e konsideroi të paefektshme. Ai mbetet një figurë përçarëse në politikën evropiane, me qëndrime të hapura kundër ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe hyrjes së saj në NATO.
Në një deklaratë të përbashkët qeveritare, Meloni dhe Fico konfirmuan mbështetjen për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë si dhe për angazhimin në procesin e rindërtimit të vendit, në prag të Konferencës për Rindërtimin e Ukrainës që Italia do të presë në korrik 2025.
Më vonë gjatë ditës, Meloni priti edhe presidentin francez Emmanuel Macron për bisedime që përfshinë Ukrainën, Gazën dhe marrëdhëniet me BE-në dhe administratën amerikane. Macron vlerësoi Italinë si partnere të rëndësishme brenda grupit evropian “Koalicioni i të Gatshmëve”, që synon të vazhdojë mbështetjen për ushtrinë ukrainase dhe të krijojë një forcë sigurie për periudhën pas luftës.
Megjithatë, qëndrimet mes Italisë dhe Francës nuk janë tërësisht të njëjta. Ndërsa Macron ka folur për mundësinë e dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë, Meloni preferon zgjatimin e mbrojtjes së NATO-s ndaj Kievit përmes nenit 5, një ide që nuk ka gjetur përkrahje të gjerë. Po ashtu, ajo mungoi në disa takime të fundit të nivelit të lartë të “Koalicionit të të Gatshmëve”.
Takimi dhe darka zyrtare në Romë synuan të ulin dallimet dhe të thellojnë bashkëpunimin ekonomik e politik mes Italisë dhe Francës, përfshirë trajtimin e përbashkët të çështjeve si migracioni dhe marrëdhëniet transatlantike.