
Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka theksuar të martën se perspektiva evropiane e Kosovës është e lidhur ngushtë me përparimin në dialogun me Serbinë dhe shmangien e veprimeve të njëanshme.
Duke folur gjatë një debati në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, Kos tha se Komisioni Evropian është i gatshëm të përgatisë opinionin mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, sapo të marrë një kërkesë zyrtare nga Këshilli i BE-së.
Kosova dorëzoi aplikimin për anëtarësim më 15 dhjetor 2022, por ai ende nuk është shqyrtuar, duke e lënë Kosovën si vendin e vetëm në rajon pa statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.
Komisionerja Kos gjithashtu bëri thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, duke theksuar se një qeveri funksionale dhe një Kuvend aktiv janë të domosdoshëm për të përfituar nga plani i BE-së për reforma dhe rritje.
Kosova vazhdon të mbetet pa qeveri të re për shkak të dështimit në konstituimin e Kuvendit. Më 2 qershor, Kuvendi nuk arriti të konstituohej për të 25-ën herë.