
Kryetari i partisë Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, ka hedhur dyshime mbi integritetin e procesit zgjedhor të 11 majit, duke theksuar se ky proces ka qenë i manipuluar dhe se nuk përfaqëson një fitore të vërtetë demokratike.
Në një intervistë për News 24, ai theksoi se partia e tij ka fituar një mandat me 64 mijë vota, ndërkohë që Partia Socialiste ka marrë një mandat me vetëm 7 mijë vota në qarkun e Vlorës.
“Zgjedhjet nuk ishin fitore. Fitore do të ishte nëse do ishte çarë sistemi, nëse do shkonim në zgjedhje të parakohshme”, tha Lapaj, duke theksuar se kanë kërkuar rinumërim të çdo kutie dhe verifikim të vulave për të siguruar një proces të drejtë. Ai shtoi se është hapur vetëm një kuti në Vlorë, sa për të “hedhur hi syve”, ndërsa akuzoi për abuzime në qarqe si Vlora dhe Fieri.
Lapaj u bëri thirrje të gjithë faktorëve opozitarë që të bashkohen për të ndryshuar sistemin zgjedhor.
Ai kritikoi Partinë Demokratike, duke thënë se për shkak të gabimeve të saj PS ka marrë 10 mandate më shumë se ç’duhej, përmes një formule që ai e cilësoi si “gabim fatal”.
“Qeveria ka me vete biznesin, krimin, administratën e shtetit. Populli shqiptar duhet të kërkojë ndryshimin e sistemit zgjedhor”, u shpreh ai.
Lapaj njoftoi gjithashtu se partia e tij do të nisë menjëherë punën për përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027, duke theksuar se “angazhimi dhe presioni për ndryshime duhet të fillojë që tani”.