Vendosni fjalën kyçe....

Berisha në Asamblenë e PPE: Shqipëria është një narko-shtet, kemi mijëra dokumente që faktojnë lidhjet e qeverisë me kartelet e drogës


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një fjalim të ashpër në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Evropiane (PPE), e cila po zhvillohet në Bruksel, duke denoncuar gjendjen alarmante në Shqipëri, që sipas tij është “kapur nga kartelet e drogës” dhe është shndërruar në “narko-shtetin e vetëm në Europë”.

Gjatë fjalës së tij, Berisha deklaroi: “Në këto zgjedhje, i gjithë shteti u shndërrua në një trupë elektorale. U përdorën fuqitë financiare, njerëzore, logjistike, ekzekutive, pa kufij për të ndaluar, për të kontrolluar dhe për të manipuluar votën e qytetarëve shqiptarë.”

Ai akuzoi qeverinë se përdori fonde publike për të blerë vota, duke theksuar: “Qeveria, gjatë fushatës zgjedhore, në kundërshtim me ligjet dhe me parimet ndërkombëtare, u dhuroi çdo pensionisti, që përfaqëson 48% të votuesve, nga 100 euro. Dy ditë para zgjedhjeve, ajo fali 200 milionë euro gjoba dhe interesa.”

Berisha denoncoi edhe një tjetër mekanizëm të përdorur nga qeveria për të kontrolluar zgjedhjet: “Ajo mobilizoi dhjetëra mijëra punonjës të administratës, të kthyer në një lloj ‘policie politike’ të quajtur patronazhistë. Patronazhistë të armatosur me të dhëna personale të marra nga sistemet digjitale të qeverisë dhe bankave.”

Sipas tij, “Shqipëria është i vetmi narko-shtet në Europë”, një vend ku pushteti ka lidhje direkte me kartelet ndërkombëtare të drogës.

“Zoti Kryeministër i Shqipërisë dha 138 licenca për kultivim droge. Nëse ligji lejon kultivimin për qëllime mjekësore në vetëm 200 hektarë, këtë herë ai dha 29,000 hektarë – një shifër që përkthehet në më shumë se 100 milionë rrënjë kanabis.”

Berisha theksoi se këto rrënjë përfaqësojnë një vlerë kolosale në tregun e zi: “Një rrënjë ka vlerë nga 500 deri në 1,000 euro.”

Duke përshkruar ndikimin dhe fuqinë e karteleve në vend, Berisha tha: “Kartelat e drogës në vendin tim janë, me diferencë, më të fuqishmet në Europë. Pse? Sepse kanë në dorë portet kryesore të vendit. Rruga e heroinës që vjen nga Lindja kalon nga duart e tyre.”

Ai shtoi se krimi i organizuar është i lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me institucionet më të larta të shtetit: “Ata janë në sipërmarrje të përbashkëta me policinë, prokurorët, ministrat – dhe vetë Kryeministrin. Në zyrën e tij, ai mban një person të quajtur Ergys Agasi, që vepron si koordinatori i kartelit të drogës në shërbim të pushtetit.”

Përballë kësaj situate që e cilësoi si shumë të rëndë, Berisha i kërkoi PPE-së të ndërhyjë: “Ndihma që kërkoj ende nga PPE-ja dhe partitë motra është dërgimi i një misioni verifikues në vendin tim, një mision fakt-mbledhës, që do të kishte rëndësi të jashtëzakonshme, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet tuaja.”

Ai paralajmëroi se pasojat e këtij realiteti nuk mbeten brenda kufijve shqiptarë: “Shqipëria është një eksportuese e madhe kriminaliteti dhe droge. Dhe gjithashtu, një eksportuese shumë e madhe emigrantësh.”

Berisha përfundoi fjalimin e tij me një apel të drejtpërdrejtë: “Ne kemi në dispozicion një sasi të jashtëzakonshme dokumentesh që tregojnë si funksionon ky narko-shtet, cilat janë lidhjet e tij me kartelin Sinaloa të Meksikës, me kartelët në Medelin, Bolivi, Peru, Ekuador.”

“Besoj se së bashku mund të ndihmojmë kombin tonë, por edhe rajonin dhe vetë Bashkimin Europian. Edhe një herë, ju falënderoj për ndihmën dhe mbështetjen tuaj.” – përfundoi ai.