Vendosni fjalën kyçe....

Meksika mban zgjedhje për sistemin gjyqësor


Meksika zhvilloi të dielën zgjedhjet e para gjyqësore, duke e bërë atë kombin e vetëm në botë që zgjedh gjyqtarë dhe magjistratë me votë popullore. 

Mbështetësit e zgjedhjeve kontroverse besojnë se kjo është e nevojshme për të riparuar sistemin gjyqësor të njohur për korrupsion dhe joefikasitet.

Por kritikët thonë se votimi do ta politizojë gjyqësorin në një vend të pllakosur nga krimi dhe dhuna e bandave. 

Presidentja Claudia Sheinbaum e ka mbrojtur me vendosmëri vendimin për të mbajtur këto zgjedhje. Zgjedhjet u mbështetën nga paraardhësi dhe mentori i saj, ish-presidenti Andres Manuel Lopez Obrador. 

“Ata që duan që regjimi i korrupsionit dhe privilegjeve në gjyqësor të vazhdojë thonë se këto zgjedhje janë manipuluar. Ose thonë gjithashtu se kjo është bërë që një parti politike të marrë kontrollin e Gjykatës së Lartë. Asgjë nuk mund të jetë më larg së vërtetës”, tha ajo në një mesazh video. 

Kundërshtarët e votimit marshuan në Mexico City, duke brohoritur slogane si “larg duart nga demokracia jonë” dhe “jo mashtrimit zgjedhor”.

“Ishte kundërpesha e fundit që kishim kundër totalitarizmit të degës ekzekutive”, tha 58-vjeçari Ismael Novela për agjencinë e lajmeve AFP në lidhje me gjyqësorin.

Detyrë e vështirë për votuesit

Votuesit duhej të zgjidhnin rreth 880 gjyqtarë federalë  përfshirë gjyqtarë të Gjykatës së Lartë — si dhe qindra gjyqtarë dhe magjistratë vendorë. Një zgjedhje tjetër për pozicionet e mbetura gjyqësore do të mbahet në vitin 2027.

Pjesëmarrja në votime dukej e ulët, pasi shumë votues e kishin të vështirë të zgjidhnin nga qindra kandidatë kryesisht të panjohur.

“Nuk jemi shumë të përgatitur. Mendoj se na duhen më shumë informacione”, tha për AFP-në Lucia Calderon, një mësuese universitare 63-vjeçare.

Disa votues thanë se ndiheshin të presionuar për të votuar, ndërsa të tjerë thanë se ndiheshin të zhgënjyer nga sistemi i korruptuar. 

“Nuk jam i interesuar (të votoj). Partitë dhe mesazhet e tyre – ato vijnë e shkojnë. Është njësoj”, tha Raul Bernal, një punëtor fabrike, për agjencinë e lajmeve AP.

Grupi i të drejtave të njeriut Defensorxs tha se konsideronte rreth 20 kandidatë si “me rrezik të lartë”, përfshirë Silvia Delgado, një ish-avokate e bashkëthemeluesit të Kartelit Sinaloa, Joaquin “El Chapo” Guzman./DW