
Kryeministri polak Donald Tusk ka paralajmëruar një votëbesim në parlament për të forcuar mbështetjen ndaj qeverisë së tij, pas humbjes që pësoi kandidati i tij në zgjedhjet presidenciale të së dielës, përcjell The Guardian. Në një deklaratë televizive të hënën mbrëma, Tusk u zotua se do të “vazhdojë punën pa u ndalur” dhe do të dorëzojë projektligje të reja si pjesë e agjendës reformuese të koalicionit të tij pro-evropian.
Tusk, duke uruar fitoren e Karol Nawrockit, kandidatit të mbështetur nga opozita e djathtë, pranoi seriozitetin e situatës por theksoi se qeveria kishte një “plan rezervë” dhe nuk do të tërhiqej “as për një hap”. Ai njoftoi se do të kërkojë një konfirmim të shumicës parlamentare, duke e vënë theksin te stabiliteti i koalicionit të tij.
Kjo lëvizje vjen në një moment delikat për qeverinë, pasi humbja e postit presidencial ndërlikon zbatimin e reformave, për shkak të rrezikut të vetos presidenciale. Roli i presidentit në Poloni, ndonëse kryesisht ceremonial, ka fuqi të rëndësishme, përfshirë veton ndaj ligjeve që mund të përmbyset vetëm me 60% të votave në parlament – një shumicë që koalicioni i Tuskut nuk e ka.
Fitorja e Nawrockit, një konservator me mbështetje të hapur nga figurat kryesore të administratës Trump dhe afër liderëve euroskeptikë si Viktor Orbán, konsiderohet si kërcënim për pozicionin pro-evropian të Polonisë dhe rrezikon të thellojë përçarjet brenda BE-së.
Jarosław Kaczyński, lideri i partisë PiS dhe ish-kryeministër, e quajti rezultatin presidencial “karton i kuq për qeverinë” dhe kërkoi dorëheqjen e Tuskut, duke propozuar krijimin e një “qeverie teknike” edhe me një kryeministër që nuk ka lidhje me partinë e tij.
Deputeti i PiS-it, Przemysław Czarnek, paralajmëroi se që nga e marta partia e tij do të nisë punë aktive për rrëzimin e qeverisë duke synuar të përçajë koalicionin e Tuskut dhe të krijojë një shumicë të re të djathtë.