
Kryetari i “Lëvizjes Bashkë”, Arlind Qori, në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News, ka kritikuar ashpër mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve të 11 majit, duke ngritur dyshime mbi integritetin e procesit zgjedhor, si në fazën e votimit ashtu edhe atë të numërimit.
Qori deklaroi se forca që ai drejton ka tashmë dy përvoja elektorale dhe ka monitoruar të gjithë procesin përmes vëzhguesve të saj. Sipas tij, ka mospërputhje të qarta mes procesverbaleve zyrtare dhe shënimeve të vëzhguesve në terren.
“Rasti që kemi pasur nuk e ndryshon rezultatin për Lëvizjen Bashkë, por vëzhguesit tanë kanë konstatuar diskordancë mes dokumentacionit zyrtar dhe të dhënave të tyre. Kemi bërë ankimim dhe presim transparencë nga institucionet përkatëse,” tha Qori.
Ai theksoi se problemi nuk kufizohet vetëm në numërim, por është edhe më i thellë gjatë procesit të votimit, ku qytetarët nuk votojnë në kushte të lira dhe të barabarta, për shkak të presionit psikologjik dhe frikës nga ndëshkimi.
“Në zonën e Tiranës së Re, qytetarët më thoshin se do të votonin për ne, por luteshin të mos publikoheshin fotot. Kanë frikë për vendet e punës, bizneset apo presione të tjera,” deklaroi kreu i Lëvizjes Bashkë.
Qori e përshkroi procesin si ende “skandaloz”, duke kërkuar reformim të thellë dhe garantimin e kushteve të barabarta për të gjithë qytetarët në ushtrimin e të drejtës së votës.