
Një biznesmen britanik është vënë nën akuzë në Shtetet e Bashkuara për përpjekje për të trafikuar teknologji të ndjeshme ushtarake amerikane drejt Kinës, si dhe për përfshirje në një komplot për të heshtur një kritik të presidentit kinez Xi Jinping, përcjell The Guardian.
John Miller, 63 vjeç, u identifikua nga autoritetet amerikane pas arrestimit të tij në Serbi, ku ndodhet në pritje të ekstradimit drejt SHBA-së në kuadër të një hetimi të FBI-së. Sipas “Mail on Sunday”, ai është nga Tunbridge Wells, Kent.
Së bashku me një shtetas kinez, Cui Guanghai, ata janë të kërkuar në SHBA për akuza që lidhen me konspiracion për përndjekje ndër-shtetërore, kontrabandë dhe shkelje të Aktit Amerikan për Kontrollin e Armëve.
Sipas dokumenteve të gjykatës amerikane, Miller dhe Cui dyshohet se kishin planifikuar të kontrabandonin teknologji të enkriptimit jashtë SHBA-së për ta çuar në Kinë, përfshirë edhe një pagesë paraprake prej 10 mijë dollarësh për një pajisje kriptografike përmes një korrieri amerikan.
Gjithashtu, ata akuzohen për përpjekje për të blerë ilegalisht “artikuj të mbrojtjes amerikane, përfshirë raketa, radarë të mbrojtjes ajrore, dronë dhe pajisje kriptografike” për eksport të paligjshëm drejt Kinës, duke filluar që nga nëntori i vitit 2023.
Në dokumente thuhet se ata kishin diskutuar metoda për të fshehur teknologjinë e ndaluar brenda pajisjeve elektronike të vogla, një blenderi apo një pajisjeje motorike, me qëllim shmangien e autoriteteve.
Përveç kontrabandës, Miller dhe Cui akuzohen se kishin planifikuar, në bashkëpunim me dy persona të tjerë (që në fakt ishin bashkëpunëtorë të FBI-së), të ndalonin një shtetas amerikan që planifikonte të protestonte ndaj pjesëmarrjes së presidentit Xi Jinping në Samitin e APEC në Los Anxhelos në nëntor 2023.
Ky person kishte qenë kritik i politikave të Kinës dhe kishte shpërndarë publikisht mesazhe kundër presidentit kinez. Miller dhe Cui thuhet se kishin urdhëruar vendosjen e një pajisjeje ndjekëse në makinën e viktimës, dëmtimin e gomave të saj dhe blerjen e shkatërrimin e dy statujave artistike që kritikonin Xi Jinping dhe bashkëshorten e tij.
Më herët, viktima kishte planifikuar të transmetonte përmes një videoje online ekspozimin e këtyre statujave.
Dyshja gjithashtu thuhet se kishte paguar rreth 36,500 dollarë dy personave (të infiltruar nga FBI-ja) për të bindur viktimën të hiqte dorë nga publikimi i veprave artistike.
Zëvendësprokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Todd Blanche, deklaroi:
“Kjo është një sulm i hapur ndaj sigurisë kombëtare dhe vlerave tona demokratike. Departamenti i Drejtësisë nuk do të tolerojë shtypje të huaj në tokën amerikane, as përpjekje për të shfrytëzuar sistemet tona të mbrojtjes.”
Zëvendësdrejtori i FBI-së, Dan Bongino, theksoi:
“Të pandehurit planifikuan të frikësonin dhe pengonin një qytetar që po ushtronte të drejtën për liri të shprehjes ndaj qeverisë kineze.”
John Miller, që është banor i përhershëm në SHBA, dhe Cui janë akuzuar nga juritë federale në Milwaukee dhe Los Anxhelos. Miller u arrestua në Beograd më 24 prill dhe aktualisht SHBA është duke bashkëpunuar me autoritetet serbe për ekstradimin e tij dhe të Cui.
Nëse shpallen fajtorë, ata përballen me:
deri në 5 vjet burg për konspiracion,
deri në 5 vjet për përndjekje,
deri në 20 vjet për shkelje të Aktit për Kontrollin e Armëve të Eksportit,
dhe deri në 10 vjet për kontrabandë.