Vendosni fjalën kyçe....

Trump: Kina ka shkelur plotësisht marrëveshjen e saj me ne


Presidenti Donald Trump deklaroi të premten se nuk do të jetë më “Z. Djali i Mirë” me Kinën sa i përket çështjeve tregtare, duke akuzuar vendin aziatik për shkelje të një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara.

Në një postim në rrjetet sociale, Trump shkruante:

“Lajmi i keq është se Kina, ndoshta jo çuditërisht për disa, e ka shkelur plotësisht marrëveshjen e saj me ne. Aq shumë për të qenë Z. Djali i Mirë!”

Pak orë më vonë, nga Zyra Ovale, ai u shpreh se do të fliste me presidentin kinez Xi Jinping dhe shtoi se shpresonte ta zgjidhte situatën, por gjithsesi këmbënguli se Kina e kishte shkelur marrëveshjen. Megjithatë, nuk ishte e qartë për cilën marrëveshje konkretisht bëhej fjalë.

Deklaratat përfaqësojnë një ndryshim të ndjeshëm nga toni më i butë që Trump kishte mbajtur kohët e fundit, kur kishte ulur përkohësisht tarifat prej 145% ndaj mallrave kineze në 30% për një periudhë 90-ditore, për të krijuar hapësirë për negociata. Edhe Kina, nga ana e saj, kishte ulur tarifat mbi mallrat amerikane nga 125% në 10%.

Trump tha se ulja e tarifave kishte “stabilizuar me shpejtësi” ekonominë kineze, megjithëse ky vendim kishte sjellë edhe lehtësim për kompanitë amerikane, të cilat kishin paralajmëruar se tarifat e larta kishin bllokuar importin e mallrave kineze dhe kishin rrezikuar aktivitetin e tyre tregtar.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian, akuzoi të premten SHBA-në për tejkalim të konceptit të sigurisë kombëtare dhe për politizim të çështjeve ekonomike, duke e cilësuar sjelljen e Uashingtonit si një “përpjekje keqdashëse për të bllokuar dhe shtypur Kinën”.

“Ne e kundërshtojmë me vendosmëri këtë dhe do t’i mbrojmë me vendosmëri të drejtat dhe interesat tona legjitime”, u shpreh Lin.

Ndërkohë në Uashington, Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi në një intervistë për Fox News se bisedimet me Kinën janë në ngërç, duke theksuar nevojën për ndërhyrje direkte në nivelin më të lartë politik.

“Kjo do të kërkojë që të dy udhëheqësit të bashkëbisedojnë me njëri-tjetrin. Ata kanë një marrëdhënie shumë të mirë. Jam i bindur se kinezët do të rikthehen në tryezën e bisedimeve kur Presidenti Trump të qartësojë pozicionin e tij,” tha Bessent.

Nga ana tjetër, Përfaqësuesi i Tregtisë së SHBA-së, Jamieson Greer, u shpreh të premten për CNBC se Kina nuk ka përmbushur zotimet për heqjen e barrierave jotarifore, përfshirë qasjen në minerale kritike.

“Nuk kemi parë rrjedhën e disa prej këtyre mineraleve kritike, siç ishte rënë dakord,” tha Greer./AP