
Një raport i ri i Drejtorisë së Antimafias Italiane (DIA) zbardh një panoramë shqetësuese mbi strukturat e krimit të organizuar në Itali dhe Europë, ku theksohet roli gjithnjë e më i rëndësishëm i mafies shqiptare në hartën ndërkombëtare të krimit.
Sipas DIA-s, krimi shqiptar nuk është më një prani periferike në territorin italian, por një aktor strukturor dhe i konsoliduar në rrjetin e mafies, krahas organizatave të njohura si Cosa Nostra, ‘Ndrangheta, Camorra dhe Sacra Corona Unita. “Grupet shqiptare nuk janë më të nënshtruara, por bashkëpunojnë në mënyrë të barabartë me mafiet tradicionale italiane”, thekson raporti.
Një nga fushat ku bashkëpunimi ndërmjet mafies shqiptare dhe asaj italiane është më i thellë është trafiku i drogës. Sipas hetimeve, shqiptarët kanë krijuar lidhje të drejtpërdrejta me kartelet e Amerikës së Jugut dhe administrojnë rrjetin e shpërndarjes së kokainës nëpërmjet porteve strategjike europiane si Rotterdam, Antverp dhe Hamburg. Kjo kokainë më pas zbret drejt Italisë përmes “rrugës së Adriatikut”, një itinerar kyç mes brigjeve shqiptare dhe rajonit të Pulias.
“Shqiptarët merren me logjistikën dhe shitjen me shumicë, ndërsa mafiet italiane kontrollojnë shpërndarjen territoriale – një ndarje e re pune që shmang përplasjet dhe rrit fitimet”, thuhet në raport.
Përtej trafikut të drogës, mafia shqiptare po investon në ekonomi të ligjshme për të pastruar paratë dhe për të forcuar ndikimin e saj. Investimet përfshijnë pasuri të paluajtshme, aktivitete tregtare dhe biznese të regjistruara me emra fiktivë. Hetuesit evidentojnë përdorimin e strukturave hierarkike, dhunës sistematike dhe kodeve të besnikërisë të ngjashme me ato të mafieve tradicionale.
Raporti thekson gjithashtu përparimin teknologjik të krimit shqiptar. Klane të caktuara janë përfshirë në mashtrime kibernetike dhe përdorin kriptovaluta për të shmangur gjurmimin financiar. “Krimi shqiptar është sofistikuar, duke ndjekur një prirje të përbashkët të shumë organizatave të huaja që veprojnë në Itali”, thuhet në dokument.
Në shumë qytete italiane – përfshirë Milano, Torino, Romë dhe Bari – grupet shqiptare janë bërë një hallkë e rëndësishme për shpërndarjen e drogës, shlyerjen e borxheve dhe trafikimin e armëve. Ato rekrutojnë të rinj nga komunitetet e emigrantëve dhe në disa rajone kanë arritur të fitojnë autonomi nga mafiet italiane.
Raporti i DIA-s përfundon duke paralajmëruar se mafia shqiptare përfaqëson sot një kërcënim real për sigurinë kombëtare të Italisë dhe stabilitetin e Bashkimit Evropian. Këshilli Evropian e ka përfshirë këtë rrjet ndër prioritetet strategjike të luftës kundër krimit të organizuar.
Drejtoria Antimafia po kërkon një qasje të re ndaj këtij rreziku: “Vetëm arrestimet nuk mjaftojnë. Nevojitet një strategji e integruar që përfshin gjurmimin financiar, parandalimin dhe masa efektive kundër pastrimit të parave”, përmbyllet raporti.