Vendosni fjalën kyçe....

BE pritet të hapë të gjithë kapitujt e negociatave me Shqipërinë në qershor


Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, deklaroi nga Brukseli se në muajin qershor pritet të hapen të gjithë kapitujt e negociatave me Shqipërinë. Sipas saj, ky është një hap i rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të vendit në BE, i cili vijon të mbetet një objektiv afatgjatë për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Duke folur në një konferencë të organizuar nga Qendra për Studime Evropiane, Kos theksoi se institucionet evropiane janë të angazhuara për të çuar përpara procesin e zgjerimit, ndërsa Shqipëria është ndër vendet që kanë hyrë në fazën e negociatave formale.

“Na duhet të hapim një grup tjetër kapitujsh me Shqipërinë dhe kjo do të ndodhë në qershor. Me këtë hap, do të kemi hapur të gjithë kapitujt e negociatave”, tha ajo.

Pas hapjes së kapitujve, do të nisë procesi i mbylljes së tyre – një fazë teknike dhe politike që kërkon përmbushjen e standardeve të vendosura nga BE në fusha të ndryshme si drejtësia, ekonomia, sundimi i ligjit dhe administrata publike.

Komisionerja e BE-së shtoi se gjatë mandatit të saj parashikon që të ketë anëtarësime të reja nga Ballkani Perëndimor, por theksoi se kjo do të varet nga përmbushja e kritereve të nevojshme nga çdo shtet.

“Unë gjithmonë insistoj që ky proces të jetë i bazuar në merita,” tha ajo, duke shtuar në mënyrë simbolike se “kemi rënë në ujdi për ta realizuar atë martesë të Shqipërisë me Europën më në fund.”

Deklaratat e saj vijnë në një moment kur Shqipëria përballet ende me sfida në fusha si lufta kundër korrupsionit, reforma në drejtësi dhe liria e medias – çështje të cilat vazhdojnë të mbeten në fokus të monitorimit nga BE dhe organizatat ndërkombëtare. Hapja e kapitujve është një hap i rëndësishëm procedurial, por nuk përbën garanci për anëtarësim të shpejtë.