Vendosni fjalën kyçe....

Alarm për bombë te hoteli “Plaza” në Tiranë, evakuohet godina


Një telefonatë anonime ka shkaktuar alarm këtë pasdite në Tiranë, duke mobilizuar forcat e rendit drejt hotelit luksoz “Plaza”, pas një njoftimi për një mjet shpërthyes të dyshuar.

Sipas informacioneve paraprake, telefonata është bërë fillimisht në recepsionin e hotelit, ku është pretenduar se një bombë ndodhej në zonën e parkimit. Menjëherë më pas, personeli ka lajmëruar Policinë e Shtetit.

Forcat xheniere dhe strukturat e tjera të specializuara janë nisur menjëherë drejt vendngjarjes. Zona përreth është rrethuar dhe është kryer evakuimi i plotë i godinës dhe ambientet përreth saj.

Deri në këto momente policia po zhvillon kërkime intensive në të gjitha hapësirat e hotelit për të verifikuar informacionin e marrë dhe për të përjashtuar çdo mundësi rreziku real.

Forcat e rendit janë ende në vendngjarje, ndërsa po kryhen verifikimet e nevojshme për të kuptuar nëse bëhet fjalë për një alarm të rremë apo një kërcënim real. Autoritetet nuk kanë dhënë ende një njoftim zyrtar për rezultatin e hetimeve paraprake.