Vendosni fjalën kyçe....

AKU reagon pas helmimit të fëmijëve në Gramsh: Vezët ishin të pastra, kontaminimi ndodhi brenda kopshtit


Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka publikuar rezultatet e analizave zyrtare lidhur me rastin e helmimit të disa fëmijëve në Kopshtin Nr. 1 në Gramsh, ku dyshohej për konsum të vezëve të kontaminuara me salmonelë.

Sipas AKU-së, analizat tregojnë se vezët nuk kanë qenë burimi i infeksionit, ndërsa kontaminimi ka ndodhur brenda vetë ambjenteve të kopshtit.

“Mostrat e marra në subjektin prodhues të vezëve kanë rezultuar negative për treguesin Salmonelë spp.”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, AKU njofton se “ferma e shpendëve është testuar gjatë muajit maj 2025 për Salmonelozë, rezultati i së cilës ka qenë negativ (shpendë të shëndetshëm).”

Në mënyrë të ngjashme, “mostrat e marra në subjektin e furnizuar nga prodhuesi dhe njëkohësisht furnizues i Kopshtit Nr. 1 Gramsh kanë rezultuar negative për treguesin Salmonelë spp.”, nënvizon AKU.

Por ndryshe paraqitet situata brenda vetë institucionit parashkollor.

“Mostrat e marra në subjektin Kopshti Nr. 1 Gramsh rezultojnë me prezencë të Salmonelë spp.,” thuhet më tej në deklaratë.

“Nga këto informacione të marra deri në këto momente mendohet se kontaminimi i vezëve në Kopshtin Nr.1 Gramsh ka ndodhur në ambientet e Kopshtit Nr.1 Gramsh nga faktorë të tjerë jo të ushqimit (jo produkti vezë).”

AKU bën të ditur gjithashtu se deri më tani nuk janë raportuar raste të tjera të ngjashme në institucione të tjera.

“Vlen të theksohet se nga komunikimi me njësitë e NjKVSh nuk kemi pasur raste të tjerë problematikë me Salmonelë spp., për të cilët jemi në komunikim të vazhdueshëm ndër-institucional.”

Institucioni ka reaguar edhe ndaj disa postimeve të bëra në rrjetet sociale, duke i cilësuar ato si të pasakta dhe dezinformuese.

Postime të shpërndara në rrjete të caktuara sociale, të ndryshme nga ky njoftim zyrtar i AKU, nuk janë të sakta dhe në vetvete përbëjnë dezinformim publik,” thuhet në deklaratë.

AKU paralajmëron gjithashtu se “në të ardhmen kushdo që do të bëjë deklarata të papërgjegjshme apo të pasakta mund të jetë objekt i një procedimi penal.”

Në përmbyllje të njoftimit, AKU shprehet se do të vijojë me përgjegjësi detyrën e saj ligjore dhe bashkëpunimin me institucionet përkatëse: “Në zbatim të detyrimit ligjor, me angazhimin e vet të drejtpërdrejtë dhe në bashkëpunim edhe me institucione të tjera, AKU do të mbetet në komunikim të vazhdueshëm në vijim.”