
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i është drejtuar sot me një kërkesë zyrtare kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, për të përfshirë në seancën plenare të 29 majit një periudhë 60-minutëshe debati jashtë rendit të ditës.
Në shkresën dërguar Kuvendit, PD thekson se urdhri për thirrjen e seancës bie ndesh me nenin 45 të Rregullores së Kuvendit, i cili parashikon të drejtën e çdo deputeti për të diskutuar mbi çështje që i konsideron të rëndësishme për publikun, në një kohë të dedikuar deri në 60 minuta në fund të seancës.
“Znj. Kryetare e Kuvendit,
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike është njohur me urdhrin tuaj nr. 16, datë 22.05.2025 “Për mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare, datë 29.05.2025, ora 12:00”, i cili ndër të tjera bie ndesh me nenin 45 të Rregullores së Kuvendit, ku theksohet se: “Në fund të rendit të ditës çdo deputet mund të diskutojë për çështje të ndryshme që ai i konsideron se duhen bërë publike në seancë plenare…. Koha e përgjithshme për diskutimin e këtyre çështjeve nuk mund te jetë më shumë se 60 minuta.”.
Për këtë arsye, në mbështetje me nenin 31 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë që të ndryshohet Rendi i Ditës dhe të përfshihet si pikë e 3 e tij:
– Diskutim jashtë rendit të ditës për 60 min.
Përsa më lart, kërkojmë respektimin e nenit 45 të Rregullores së Kuvendit.
GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË DEMOKRATIKE”, thuhet në shkresën dërguar kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali.
