
Policia e Fierit ka njoftuar masa të posaçme për mbarëvajtjen e etapës së fundit të edicionit të 82-të të Turit Çiklistik të Shqipërisë, që zhvillohet ditën e nesërme. Në fokus të planit janë garantimi i sigurisë rrugore dhe lëvizja pa pengesa e sportistëve gjatë garës.
Për këtë qëllim, Policia Rrugore ka hartuar një plan që përfshin kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugore të qytetit të Fierit dhe rrethinave të tij.
Sipas njoftimit zyrtar, bllokimet do të jenë si më poshtë:
- Autostrada Vlorë – Fier – Unaza e Fierit: nga ora 10:00 deri në 11:15
- Rruga Fier – Savër: nga ora 10:50 deri në 12:00
- Segmenti Savër – dalje në Levan: nga ora 11:45 deri në 13:00
- Rruga Levan – Qendër Fier: nga ora 12:40 deri në 13:15
Policia u bën apel qytetarëve që të tregojnë mirëkuptim dhe bashkëpunim, duke shmangur lëvizjet në këto rrugë gjatë orareve të bllokimit, për të mos penguar zhvillimin e garës dhe për të ruajtur sigurinë e pjesëmarrësve.
Në përfundim të etapës çiklistike, qarkullimi do të rikthehet normalisht në të gjitha akset e përfshira.