Vendosni fjalën kyçe....

Shembet masivi i kromit në minierën e Bulqizës, plagoset minatori


Një minator është plagosur këtë të mërkurë në një nga galeritë e kromit të “ACR” në minierën e Bulqizës.

Burime bëjnë me dije se minatori 40-vjeçar ka qenë duke punuar në thellësi të tokës kur është plagosur teksa është goditur nga një masiv gurësh.

Ai është dërguar fillimisht për mjekim në spitalin Bashkiak të Bulqizës ku dhe ka marrë ndihmën e parë.

Burime pranë spitalit bëjnë me dije se pasi është mjekuar, 40-vjeçari me inicialet A.N është dërguar për një kontroll më të specializuar në Spitalin Rajonal të Dibrës.

Bluzat e bardha të këtij spitali thanë se 40-vjeçari është jashtë rrezikut për jetën.

Aksidentet në minierat e vendit tonë janë të shpeshta ku në shumë raste fatkeqësisht janë me fatalitete.

Kujtojmë se vetëm dy ditë më parë një minator humbi jetën në një nga galeritë e kromit në Prrenjas.

Po ashtu, aksidente të shumta ka patur edhe në galeritë e kromit të minierës së Bulqizës, ku çdo vit ka humbje jete njerëzore.