
Bashkimi Europian ka përsëritur thirrjen e tij ndaj politikës shqiptare për të përfshirë në reformën zgjedhore të gjitha rekomandimet e bëra deri tani nga OSBE/ODIHR, si dhe ato që do të përfshihen në raportin përfundimtar për zgjedhjet e 11 majit. Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, në një intervistë për emisionin “Ekspres” në RTSH, theksoi se përmbushja e kësaj reforme është një angazhim që Shqipëria ka marrë në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe duhet përfunduar brenda vitit 2026.
Sipas tij, ndër çështjet që duhen adresuar janë transparenca në financimin e fushatave zgjedhore, rregullimi i mediave online dhe parandalimi i shpërdorimit të burimeve publike gjatë zgjedhjeve. Ai shtoi se shumë nga problematikat e konstatuara në zgjedhjet e fundit janë të njëjta me ato të vitit 2021, ndaj kërkohet zgjidhje reale përmes reformës.
Gonzato theksoi se qëndrimi i BE-së për zgjedhjet e 11 majit mbështetet plotësisht në gjetjet paraprake të OSBE/ODIHR-it dhe mohoi deklarimet e disa aktorëve politikë që, sipas tij, e kanë keqcituar ose nxjerrë jashtë konteksti pozicionin e tij. Ai sqaroi se BE-ja mbështet konkluzionet që vënë në dukje mungesën e një fushe të barabartë loje mes partive dhe problematika të tjera të theksuara nga misioni ndërkombëtar.
Diplomati europian nënvizoi gjithashtu nevojën për dialog politik të sinqertë dhe gjithëpërfshirës, duke theksuar se reformat nuk mund të jenë të njëanshme. Ai u bëri thirrje të gjitha forcave politike, përfshirë opozitën, që të marrin pjesë aktivisht në këtë proces, duke theksuar se anëtarësimi në BE është një objektiv kombëtar dhe nuk duhet shfrytëzuar për interesa partiake.
Duke folur për administrimin e zgjedhjeve, Gonzato vlerësoi profesionalizmin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe bashkëpunimin me SPAK-un dhe Prokurorinë e Përgjithshme për hetimin e krimeve zgjedhore. Ai dënoi presionin politik ndaj drejtësisë dhe kërkoi respekt të plotë për pavarësinë e saj. Sipas tij, është thelbësore që drejtësia të jetë funksionale dhe efektive, me procedura të modernizuara dhe afate të shkurtra, që qytetarët të ndjejnë se sistemi i përgjigjet nevojave të tyre.
Ambasadori Gonzato shprehu bindjen se Shqipëria ka potencialin për të mbyllur negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027, por theksoi se kjo do të varet nga ritmi i reformave dhe përfshirja e të gjitha shtresave të shoqërisë në këtë proces. Ai vuri theksin te rëndësia e ndërgjegjësimit publik për detyrimet që sjell anëtarësimi në BE, përtej përfitimeve.
“Nuk mjafton që të përmbushen standardet në letër; është mënyra si zbatohen që bën diferencën. Dhe kjo kërkon angazhim real, transparencë dhe dialog të hapur,” përfundoi ambasadori i BE-së në Shqipëri.