Vendosni fjalën kyçe....

“SHBA po shqyrton të ardhmen e komandës ushtarake në Afrikë” – Gjenerali i lartë amerikan


Shtetet e Bashkuara po vlerësojnë të ardhmen e Komandës së tyre Ushtarake për Afrikën (AFRICOM), deklaroi të martën gjenerali më i lartë amerikan për kontinentin, duke i bërë thirrje qeverive afrikane që të bëjnë të njohura qëndrimet e tyre në Uashington lidhur me mundësinë e shfuqizimit të kësaj strukture.

Administrata e Presidentit Donald Trump po shqyrton mundësinë e bashkimit të AFRICOM-it – që u krijua si komandë gjeografike më vete në vitin 2008 – me Komandën Evropiane të SHBA-së, për të ulur burokracinë, sipas raportimeve të mediave amerikane në mars, përcjell Reuters.

Duke folur për gazetarët përpara një konference të krerëve të mbrojtjes së Afrikës në Kenia, komandanti i AFRICOM-it, Gjenerali i Marinës Michael Langley, tha se kishte diskutuar këtë çështje me zyrtarë të ndryshëm në kontinent.

“Kam folur me një numër ministrash të mbrojtjes dhe disa presidentë, dhe u kam thënë se ne jemi në fazën e vlerësimit,” deklaroi Langley.

Ai shtoi se qeveritë duhet ta përcjellin qëndrimin e tyre lidhur me të ardhmen e AFRICOM-it përmes ambasadorëve të tyre në SHBA.

“Kjo është ajo që u them atyre: ‘Nëse jemi vërtet të rëndësishëm për ju, atëherë duhet ta komunikoni këtë, dhe do të shohim çfarë ndodh’,” tha ai.

Para vitit 2008, aktivitetet ushtarake të SHBA-së në Afrikë menaxhoheshin nga komanda në rajone të tjera. Krijimi i AFRICOM-it pasqyroi interesin në rritje të sigurisë kombëtare të SHBA-së në kontinent, përfshirë këtu përballjen me kryengritjet islamiste dhe konkurrencën në rritje me Kinën dhe Rusinë.

Në Afrikën Perëndimore, ku grupe të lidhura me al Kaedën dhe Shtetin Islamik janë forcuar vitet e fundit, ndikimi i sigurisë së SHBA-së ka rënë pas një sërë grushtesh shteti ushtarakë.

Këto grushte detyruan Uashingtonin të tërhiqej nga ndihma e tij për sigurinë dhe sollën në pushtet junta që kanë kërkuar ndihmë nga Rusia.

Vitin e kaluar, junta qeverisëse në Niger urdhëroi largimin e afërsisht 1,000 trupave amerikane nga vendi dhe lirimin e një baze dronësh me vlerë 100 milionë dollarë.

Langley tha se SHBA gjithsesi ka ruajtur disa marrëveshje për ndarjen e informacionit inteligjent me regjimet ushtarake në rajonin e Sahelit dhe po kërkon “forma të tjera për të qëndruar të angazhuar”.