
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA kanë ndaluar rekomandimin e vaksinimeve rutinë kundër COVID-19 për gratë shtatzëna dhe fëmijët e shëndetshëm, thanë të martën rregullatorët shëndetësorë.
Sekretari i Shëndetësisë Robert F. Kennedy Jr tha në një video të postuar në platformën e mediave sociale X se vaksinat janë hequr nga kalendari i rekomanduar i imunizimit nga CDC për ato grupe, shkruan Reuters.
Kennedy, një skeptik prej kohësh i vaksinash, departamenti i të cilit mbikëqyr CDC, ka ribërë sistemin shëndetësor të SHBA për t’u afruar me qëllimin e presidentit Donald Trump për tkurrjen dramatike të qeverisë federale.
“Tani jemi një hap më afër realizimit të premtimit të presidentit Trump për ta bërë Amerikën përsëri të shëndetshme,” tha Kennedy.
CDC kishte rekomanduar më parë vaksina të përditësuara për COVID për të gjithë amerikanët të moshës gjashtë muajsh e lart.
Por Komisioneri i Administratës së Ushqimit dhe Barnave të SHBA, Marty Makary, tha në video se nuk kishte asnjë provë që fëmijët e shëndetshëm kanë nevojë për vaksina rutinë për COVID.
Shumica e vendeve kanë ndaluar së rekomanduari për fëmijët, shtoi ai.
Prodhuesit e vaksinës Covid, Moderna dhe Pfizer nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Rekomandimet e reja vijnë një javë pasi FDA-ja tha se planifikon të kërkojë prova të reja klinike për miratimin e përforcuesve vjetorë të Covid-19 për amerikanët e shëndetshëm nën moshën 65 vjeç, duke i kufizuar ato në mënyrë efektive për të rriturit më të mëdhenj në moshë dhe ata në rrezik të zhvillimit të sëmundjeve të rënda.