Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina dhe Rusia shkëmbejnë 1,000 të burgosur mes sulmeve të rënda ajrore


Rusia dhe Ukraina realizuan të dielën pjesën e tretë dhe të fundit të një shkëmbimi të madh të burgosurish, duke liruar qindra persona nga të dyja palët. Ky ishte një moment i rrallë bashkëpunimi në një konflikt që ka hyrë në vitin e katërt pa ndonjë përparim drejt paqes apo armëpushimit të qëndrueshëm.

Por ndërsa lajmi për shkëmbimin u bë publik, Ukraina u godit nga një tjetër valë sulmesh ajrore ruse. Kryeqyteti Kiev, si dhe disa rajone të tjera të vendit, u vunë nën shënjestër nga dronë dhe raketa, në një sulm që shkaktoi të paktën 12 viktima dhe plagosi dhjetëra të tjerë, sipas autoriteteve ukrainase. Ky u përshkrua si sulmi më i madh ajror që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në shkurt të vitit 2022.

Në mbrëmje, Ukraina u godit për të tretën natë radhazi. Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore ishin në veprim për të neutralizuar dronët sulmues. Ndërkohë, edhe qyteti Kharkiv dhe periferitë e tij u sulmuan nga mjetet ajrore ruse, konfirmoi Oleh Syniehubov, kreu i administratës ushtarake të rajonit.

Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, të dyja palët shkëmbyen nga 303 persona, një vazhdim i shkëmbimeve të mëdha që përfshinë gjithsej 1,000 ushtarë dhe civilë të liruar gjatë tre ditëve të fundit, përkatësisht të premten, të shtunën dhe të dielën.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e konfirmoi lajmin në rrjetin X, duke theksuar se “303 mbrojtës ukrainas janë në shtëpi”. Ai sqaroi se mes të liruarve janë pjesëtarë të Forcave të Armatosura, Gardës Kombëtare, Shërbimit të Rojës Kufitare dhe Shërbimit të Transportit Special.

Ndërkohë, situata në terren mbetet dramatike. Oleh Syniehubov, kreu i administratës ushtarake të Kharkivit, u bëri thirrje qytetarëve të “qëndrojnë në vende të sigurta deri në përfundim të alarmit ajror”, duke shtuar se informacioni për viktimat nga sulmet e fundit ishte ende duke u konfirmuar.

Mes emocioneve të forta, familjarët e ushtarëve të liruar ndanë historitë e tyre. Nataliya Borovyk, motra e ushtarit ukrainas Ihor Ulesov, që u lirua nga robëria, u shpreh për Associated Press:

“Xhaxhai im duhej të më qetësonte dhe të më hipte në një taksi që të mund të vija këtu. Një moment i tillë të mbetet në mendje përgjithmonë.”

Sulmi më i madh ajror që nga nisja e luftës

Ukraina u përball këtë fundjavë me sulmin më të madh ajror që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022. Sipas zëdhënësit të Forcave Ajrore të Ukrainës, Yuriy Ihnat, Rusia përdori 367 mjete sulmuese — 69 raketa të tipeve të ndryshme dhe 298 dronë, përfshirë dronët iranianë Shahed.

Kievi ishte ndër qytetet më të goditura. Sulmi ndodhi në një ditë simbolike për kryeqytetin, që po festonte Ditën e Kievit, një festë që përkujton themelimin e qytetit në shekullin e 5-të. Për shumë banorë, kjo festë u kthye në një ditë zie.

Në total, më shumë se 30 qytete dhe fshatra u goditën nga raketat dhe dronët rusë. Nuk pati asnjë koment zyrtar nga Moska në lidhje me këto sulme.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy reagoi menjëherë pas sulmeve, duke përsëritur thirrjen ndaj partnerëve perëndimorë për të shtuar sanksionet ndaj Rusisë. /AP