
Kancelari i ri i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka deklaruar se vendet perëndimore që mbështesin Ukrainën nuk po vendosin më kufizime për rrezen e armëve që i dorëzohen Kievit.
“Nuk ka më kufizime për rrezen e armëve që i jepen Ukrainës, as nga Mbretëria e Bashkuar, Franca apo ne. Nuk ka kufizime as nga SHBA,” citohet Merz nga “Kyiv Independent”, gjatë një forumi diskutimi të organizuar nga televizioni gjerman WDR, sipas The Guardian.
“Kjo do të thotë që Ukraina tani mund të mbrohet, për shembull, duke sulmuar pozicione ushtarake brenda Rusisë,” shtoi kancelari. “Deri së fundmi, kjo nuk ishte e mundur dhe, përveç disa rasteve të rralla, nuk kishte ndodhur.”
Qëndrimi i ri vjen pas përdorimit për herë të parë nga Ukraina të raketave balistike me rreze të gjatë veprimi të tipit ATACMS, të furnizuara nga administrata e Joe Biden në prill të vitit të kaluar, pas dhënies së dritës jeshile nga Uashingtoni.
Më herët, armët e furnizuara nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca lejoheshin të përdoren vetëm kundër objektivave ushtarake ruse brenda territoreve të pushtuara ukrainase, për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit.
Por me heqjen e këtyre kufizimeve, Ukraina merr më shumë hapësirë për veprim ushtarak kundër objektivave në vetë territorin e Rusisë.