Vendosni fjalën kyçe....

“Mbështetja për SPAK do të vijojë pa kushte” – Rama


Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se mbështetja për institucionet e drejtësisë, veçanërisht për SPAK-un, do të vijojë pa asnjë ekuivok, pavarësisht problemeve që ende shfaqen në sistemin gjyqësor shqiptar.

Gjatë një aktiviteti në Pallatin e Brigadave, Rama solli në vëmendje një rast konkret ku shteti shqiptar është dënuar me 500 mijë euro dëmshpërblim, për një aksident rrugor të ndodhur tetë vite më parë, pa pasoja për jetën apo plagosje.

“Sot kemi humbur një gjyq në Apel, ku i kërkohet shtetit të paguajë 500 mijë euro për një përplasje me makinë para 8 vitesh. Nuk ka patur të vdekur apo të plagosur, por vetëm dy persona që pretenduan rrezik për jetën dhe hodhën shtetin në gjyq. Vendimi u mor me një shpejtësi të rrufeshme, ndërsa shqiptarë të tjerë presin muaj të tërë për drejtësi”, tha Rama.

Ai e cilësoi këtë si një shenjë e deformimeve të mbetura në sistemin e drejtësisë, por theksoi se këto sfida nuk duhet të shërbejnë si arsye për të hequr dorë nga rruga e reformave.

“Ne kemi në dorë dy gjëra për fatin e drejtësisë në Shqipërinë e vitit 2030. E para është të jemi mburojë e pathyeshme për institucionet e drejtësisë, duke nisur nga SPAK. Pavarësisht të metave, s’ka rrugë tjetër – vetëm përmes një drejtësie të pavarur mund të ndërtojmë shtet të së drejtës”, u shpreh kryeministri.

Rama shtoi se qëndrimi i palëkundur për mbrojtjen e drejtësisë është detyrim politik dhe moral, duke i bërë thirrje të gjithë aktorëve që të tregojnë seriozitet në këtë proces.