
Franca dhe Vietnami kanë nënshkruar të hënën marrëveshje me vlerë mbi 10 miliardë dollarë, përfshirë kontrata në fushat e mbrojtjes, transportit, energjisë bërthamore dhe teknologjisë hapësinore, gjatë vizitës së presidentit Emmanuel Macron në Hanoi, vizita e parë zyrtare e një presidenti francez në këtë vend pas gati një dekade.
Në qendër të marrëveshjeve është një kontratë mes kompanisë franceze Airbus dhe linjës ajrore vietnameze VietJet për blerjen e 20 avionëve A330neo, përcjell Reuters.
Marrëveshjet e tjera përfshijnë bashkëpunim për satelitët vëzhgues të Tokës, prodhimin e vaksinave nga Sanofi, ndërtimin e një terminali të thellë kontejnerësh në veri të Vietnamit dhe projekte në transportin hekurudhor e detar.
Në total u nënshkruan 14 marrëveshje, ndërsa zyrtarët francezë thanë se priten edhe njoftime të tjera në ditët në vijim.
Vizita e Macron vjen në një kohë tensioni të shtuar tregtar me Shtetet e Bashkuara, pasi presidenti Donald Trump ka kërcënuar të vendosë tarifa të reja ndaj mallrave nga Bashkimi Evropian që nga 1 qershori, edhe pse afati është shtyrë për më 9 korrik.
Vietnami, një ekonomi që varet shumë nga eksportet drejt SHBA-së, është nën presion për të blerë më shumë mallra amerikane, dhe mund të jetë duke shqyrtuar blerjen e 250 avionëve Boeing, çka ka ngjallur shqetësime në Evropë për konkurrencën ndaj Airbus-it.
Në deklaratat për shtyp, Macron konfirmoi mbështetjen e Francës për lirinë e lundrimit — një çështje kyçe për Vietnamin përballë pretendimeve territoriale të Kinës në Detin e Kinës Jugore.
Ai theksoi gjithashtu forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe hapësirë.
Presidenti vietnamez Luong Cuong tha se partneriteti përfshin shkëmbim informacioni mbi çështje strategjike dhe bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes, sigurinë kibernetike dhe kundër-terrorizmin.
Vizita e Macron në Hanoi është pjesë e një turi në Azinë Juglindore, që do të vazhdojë në Indonezi dhe Singapor.