
Nga Christina Larson, Adithi Ramakrishnan dhe Jamey Keaten – Associated Press
Ndërsa administrata Trump ka shkurtuar miliarda dollarë nga fondet federale për kërkimin shkencor, mijëra shkencëtarë në SHBA kanë humbur vendet e punës apo grantet e tyre, qeveritë e huaja e universitetet në mbarë botën e kanë parë këtë si një mundësi.
Programi “Canada Leads”, i nisur në prill, synon të nxisë brezin e ardhshëm të inovatorëve duke sjellë studiues të rinj në fushën e biomedicinës drejt Kanadasë.
Universiteti Aix-Marseille në Francë ka lançuar në mars programin “Safe Place for Science”, duke premtuar se do të mirëpresë shkencëtarët me bazë në SHBA që “mund të ndihen të kërcënuar apo të penguar në kërkimin e tyre”.
Australia, nga ana tjetër, përmes programit të shpallur në prill “Global Talent Attraction Program”, ofron paga konkurruese dhe paketa zhvendosjeje.
“Në përgjigje të asaj që po ndodh në SHBA”, tha Anna-Maria Arabia, drejtore e Akademisë Australiane të Shkencave, “po shohim një mundësi të paprecedentë për të tërhequr disa nga mendjet më të ndritura këtu.”
Që nga Lufta e Dytë Botërore, SHBA ka investuar sasi të mëdha fondesh në kërkimin shkencor në universitete të pavarura dhe agjenci federale.
Kjo ka bërë që SHBA të bëhet fuqia më e madhe shkencore në botë, duke çuar në shpikjen e telefonave celularë, internetit, si dhe metodave të reja për trajtimin e kancerit, sëmundjeve të zemrës dhe goditjeve në tru, theksoi Holden Thorp, kryeredaktor i revistës Science.
Goditje e madhe për sistemin amerikan
Por sot ky sistem është tronditur. Që nga marrja e detyrës në janar, administrata e presidentit Donald Trump ka argumentuar se fondet federale për shkencën janë shpërdoruar apo janë joefikase, duke ndërmarrë shkurtime të mëdha në buxhetet dhe stafin e Akademisë Kombëtare të Shkencave, Institutit Kombëtar të Shëndetësisë (NIH), NASA-s dhe agjencive të tjera – si dhe ka shkurtuar fondet për disa universitete private.
Propozimi buxhetor i Shtëpisë së Bardhë për vitin e ardhshëm kërkon të shkurtojë buxhetin e NIH me rreth 40% dhe atë të Fondacionit Kombëtar të Shkencës me 55%.
“Së pari po shqyrtojmë projektet e administratës së mëparshme, po identifikojmë shpërdorimet dhe po riorientojmë shpenzimet për kërkimin shkencor në përputhje me prioritetet e popullit amerikan dhe për të ruajtur dominimin tonë inovativ,” tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Kush Desai.
Ndërkohë, disa universitete tashmë kanë pezulluar punësimet, kanë pushuar stafin apo kanë ndaluar pranimin e studentëve të rinj të ciklit të tretë.
Të enjten, administrata Trump revokoi të drejtën e Universitetit të Harvardit për të regjistruar studentë ndërkombëtarë, megjithëse një gjyqtar vendosi pezullimin e vendimit.
Institucionet kërkimore jashtë SHBA-së po i ndjekin me shqetësim zhvillimet që mund të ndikojnë në bashkëpunimet me kolegë amerikanë – por gjithashtu po i shohin si mundësi për të rekrutuar talente.
“Ka kërcënime për shkencën… në jug të kufirit,” tha Brad Wouters nga University Health Network, qendra më e madhe kërkimore në mjekësi në Kanada, e cila ka nisur fushatën “Canada Leads”. “Ka një rezervuar të tërë talentesh që po preken nga ky moment.”
Premtimi për një vend të sigurt për shkencën
Universitetet në botë gjithmonë përpiqen të rekrutojnë talente nga njëri-tjetri, njësoj si kompanitë teknologjike. Por ajo që është e veçantë këtë herë, është se shumë rekrutues po premtojnë diçka që tani shihet si e kërcënuar: liria akademike.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha këtë muaj se Bashkimi Evropian synon të “garantojë lirinë e kërkimit shkencor në ligj”.
Ajo e tha këtë gjatë nisjes së fushatës “Zgjidh Europën për Shkencën” – një iniciativë e planifikuar përpara shkurtimeve amerikane, por që tani po përfiton nga momenti.
Presidenti i Universitetit Aix-Marseille, Eric Berton, shprehu një mendim të ngjashëm kur nisi programin “Safe Place for Science”.
“Kolegët tanë amerikanë nuk janë veçanërisht të interesuar për para,” tha ai për aplikantët.
“Ajo që duan mbi të gjitha është të mund të vazhdojnë kërkimin e tyre dhe që liria akademike të ruhet.”
Ende herët për të folur për “ikje truri”
Është ende herët për të kuptuar se sa shkencëtarë do të vendosin të largohen nga SHBA. Do të duhen muaj për të shqyrtuar aplikimet dhe për të ndarë fondet, dhe më gjatë për të zhvendosur jetën e tyre.
Megjithatë, disa institucione të huaja po raportojnë interes të lartë nga SHBA. Gati gjysma e aplikimeve për programin “Safe Place for Science” – 139 nga 300 – vijnë nga shkencëtarë të bazuar në SHBA, përfshirë studiues të inteligjencës artificiale dhe astrofizikanë.
Në Francë, aplikimet nga SHBA për Institutin e Gjenetikës, Biologjisë Molekulare dhe Qelizore janë dyfishuar në krahasim me vitin e kaluar.
Në Gjermani, shoqëria Max Planck raportoi që programi “Lise Meitner” – për studiuese të reja – ka tërhequr trefishin e aplikimeve nga SHBA në krahasim me vitin e kaluar.
Edhe rekrutues privatë po shohin një tendencë të ngjashme.
Natalie Derry, partnere në “WittKieffer” në Britaninë e Madhe, tha se aplikimet nga SHBA janë rritur me 25%-35%. “Kur kontaktojmë studiues amerikanë, po marrim një nivel më të lartë interesimi se zakonisht,” tha ajo.
Por ka edhe pengesa praktike: gjuhë të huaja, kujdes për fëmijët apo prindërit, si dhe ndryshime në sistemet e pensioneve.
Lidhjet me komunitetin
Brandon Coventry nuk kishte menduar kurrë se do të ndërtonte një karrierë shkencore jashtë SHBA. Por shkurtimet e fondeve dhe pasiguria për grantet e reja e kanë bërë të mendojë.
Megjithëse e ka të vështirë të largohet nga familja dhe miqtë, ai ka aplikuar për pozicione në Kanada dhe Francë.
“Nuk kam dashur kurrë të largohem nga SHBA, por kjo është një alternativë serioze për mua,” tha Coventry, studiues pasdoktoral në Universitetin e Wisconsin-Madison.
Por nuk është e lehtë të lëvizësh një karrierë shkencore – dhe aq më pak një jetë.
Marianna Zhang, që po studionte zhvillimin e stereotipeve racore dhe gjinore tek fëmijët në Universitetin e Nju Jorkut, humbi grantin e saj nga NSF.
“M’u duk sikur Amerika nuk ishte më e interesuar të studionte çështje si ajo që unë punoja,” tha ajo.
Megjithatë, nuk është e lehtë të “ikësh thjesht për të shpëtuar në një vend tjetër”, shtoi ajo.
Një boshllëk global
Ndërsa universitetet po mendojnë të rekrutojnë talente nga SHBA, dominon më shumë shqetësimi sesa gëzimi për këto zhvillime.
“Shkenca është përpjekje globale,” tha Patrick Cramer nga Shoqëria Max Planck, duke theksuar se të dhënat dhe zbulimet shpesh ndahen mes bashkëpunimeve ndërkombëtare.
Një nga qëllimet e këtyre fushatave është “të parandalohet humbja e talenteve për komunitetin shkencor global”, tha ai.
Shkencëtarët paralajmërojnë se mbyllja e bashkëpunimeve dhe rrjeteve të të dhënave do të dëmtojë të gjithë.
“SHBA gjithmonë ka qenë një shembull, si në shkencë ashtu edhe në arsim,” tha Patrick Schultz, drejtori i Institutit francez të Gjenetikës, Biologjisë Molekulare dhe Qelizore. “Prandaj këto shkurtimet janë shumë shqetësuese për ne, sepse ishin një shembull për gjithë botën.”
VNII RE: Ky material është pronësi intelektuale e AP