Vendosni fjalën kyçe....

“Nuk ishte ëndrra jonë dhe e Tanit”, emaili i stafit të Digitalb paralajmëron aksionerët për largime masive


Stafi i Digitalb, gati 80 drejtues në vite të kompanisë nëpëmjet një emaili në mbrëmjen e 14 Gushtit, i janë drejtuar aksionarëve të kompanisë, pas largimeve masive të filluara kohët e fundit nga Vjollca Hoxha, cna.al ka siguruar emalin e plotë.

Shumë emra të rëndesishëm, themelues dhe menaxherë të kompanisë po hiqen dhe po hidhen në rrugë me detyrim, shkruhet në emailin që stafi ka shpërndarë pë aksionarë e kompanisë.

Më poshtë jepet teksti i plotë dhe nje foto e emailit që qarkullon në Digitalb.

EMAILI

Përshëndetje aksionarë të DigitAlb-it!

Të gjithë ju që ju bashkuat ëndrrës së Tan Hoxhës për të ngritur Platformën që do bënte dhe vazhdonte revolucionin mediatik në Shqipëri e do ishte “URA” lidhëse e gjithë shqiptarëve!

ËNDRRËS që ne, stafi, I BESUAM dhe jetuam duke punuar për 15 VITE…

Po ju shprehim direkt shqetësimin tonë, për çfarë po ndodh në DigitAlb-in ku ne me vite punuam, sakrifikuam po edhe shijuam, se e kishim Familjen tonë!

Siç besojmë jeni në dijeni;

Që me ardhjen e Administratorëve të rinj të gjitha gjërat në DigitAlb nisën dhe vazhdojnë të ndryshojnë për keq në çdo aspekt.

Dhe këtë, s’ka mbetur njeri pa e ndjerë e pa e folur edhe në popull apo thënë ndryshe, klientët…

Plus kësaj, nisi një fushatë spastrimi “etnik” tek punonjësit, pa u bazuar në asnjë kriter profesional. Për më tepër; Heqje masive profesionistësh nga puna, pa mbështetje në asnjë strategji zhvillimi apo financiare, afatmesme apo aftgjatë, siç do duhej të funksiononte vërtet në një kompani e siç ndodh kudo në botë. Por mbi të gjitha e më flagrantja, pa asnjë vendimarrje tuajën si ‘Asamble e Aksionarëve’ të DigitAlb!

Mjafton të përmendim largimin e mbi 90% të Drejtorëve kryesorë të kompanisë, që bashkë edhe me kërkesat ULTIMATIVE për dorëheqje të menjëhershme deri edhe tek stafi ekzekutiv në bazë, arrijnë aktualisht në rreth 80 vetë!

Por ky spastrim po vazhdon dita ditës dhe fryma e pasigurisë që ka asgjësuar atë të familjaritetit që ekzistonte dhe e karakterizonte deri dje DigitAlb, shto këtu dhe uljet e rrogave në nivele ordinere, deri edhe tek shoferët, ka bërë që edhe ata të mbeturit ende momentalisht të jenë me CV në dorë, gati për të ikur sapo t’ju dalë alternativa e parë…

Tani, pavarësisht problematikave tuaja me ish-Administratorin, Albanin që gjithësesi për ne në ato vite ishte një lider; po me ne stafin ç’patët…?!

Tek e fundit të gjithë ne punonjësit e larguar deri më tani, që në fakt U PËRZUMË pa asnjë motiv mospërmbushjeje profesionale në gjithë këto vite pune, sakrifice e jete në DigitAlb, jemi gati 80 FAMILJE me gjithë peshat sociale që rëndojnë në Shqipëri. Si mundet që kështu befas, brenda ditës, të na kërkohet me detyrim të dalim në rrugë të madhe, ndërkohë që jemi familjarë me fëmijë për të rritur e shkolluar dhe kredi për të paguar…?!

Ka mes nesh nga ata që ishin të vetmit të punësuar nga pjesëtarët e familjes. Dhe tani s’janë më!

Me çfarë ta paguaj tani unë çerdhen e fëmijës tim?

Me çfarë ta paguajë ai tjetri qeranë e shtëpisë ku ka futur familjen apo ajo kolegia tjetër kredinë bankare, që tek e fundit i është miratuar me garancinë se punonte në DigitAlb?!

Ç’kusur kanë fëmijët tanë që tani s’mbajmë dot as premtimet që u kemi dhënë, edhe për shkollën e tyre…?!

Ça faji kemi që besuam tek ju?

Deri dje të gjithë ndiheshim krenarë në familjet tona sepse punonim në DigitAlb…

Deri dje në DigitAlb organizonim fushata bamirësie për familjet në nevojë…

Tani vetëm prej tekave të shfrenuara të një zonje, krejt ndryshe nga vizioni i themeluesit, DigitAlb ka arritur ne pikën që po nxjerr me radhë sa e sa familje në mes të rrugës, duke i detyruar të luftojnë deri për bukën e gojës!

Pse tani heshtni të gjithë dhe bëni sikur s’na njihni e as na keni parë kurrë?!

Kemi punuar per ju! Me vite! Me plot përkushtim!

Kishim investuar pasion e besim me punën tonë gjithë këto vite, duke refuzuar jo një herë edhe Oferta joshëse më të larta, pasi BESONIM në ëndrrën që po punonim të ndërtonim, në atë Platformë ku ju të gjithë jeni aksionarë, por jo pa përgjegjësi!

Po tani? Çfarë bëmë ne gabim, që pas gjithë atyre viteve punë, përkushtim e besim, nga ju aksionarë të merrnim këtë “shpërblim”…?!

Stafi i DigitAlb

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e City News Albania


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *