
Komuniteti LGBT organizoi këtë të shtunë në kryeqytet “Paradën e Krenarisë”, një marshim simbolik për të kërkuar të drejta të barabarta dhe për të afirmuar identitetin dhe orientimin seksual. Parada nisi nga qendra e Tiranës dhe vijoi përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke sjellë mesazhe të qarta për përfshirje, respekt dhe barazi.
Të pranishëm në aktivitet ishin qytetarë, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe diplomatë. Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ishte një nga mbështetësit që mori pjesë në marshim. Ai theksoi rëndësinë e përmbushjes së angazhimeve për mbrojtjen e komunitetit LGBT.
“Çdo lloj diskriminimi, qoftë për shkak të orientimit seksual, bindjeve, fesë apo moshës, është i papranueshëm. Jemi këtu për të kërkuar respekt dhe mbrojtje ligjore më të mirë për këtë komunitet. Kjo nuk është çështje dhembshurie, por e të drejtave dhe dinjitetit”, u shpreh ambasadori Gonzato.
Përfaqësues të komunitetit LGBT nënvizuan se sfidat kryesore mbeten edukimi i brezave të rinj për çështjet e diversitetit dhe përmirësimi i qasjes në shërbime miqësore dhe gjithëpërfshirëse. Sipas tyre, shoqëria shqiptare ka bërë hapa përpara, por ende mbeten barriera sociale dhe institucionale që duhet të kapërcehen.