Vendosni fjalën kyçe....

Irani dhe SHBA zhvillojnë raundin e pestë të bisedimeve bërthamore në Romë



Zyrtarë të lartë nga Irani dhe Shtetet e Bashkuara takohen sot në Romë për raundin e pestë të bisedimeve bërthamore, mes një përplasjeje të hapur mbi çështjen e pasurimit të uraniumit nga Teherani, përcjell YNetNews. Bisedimet, të cilat nisën në prill, përfaqësojnë kontaktin më të nivelit të lartë mes dy vendeve që prej tërheqjes së SHBA nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump.

Që nga rikthimi në detyrë, Trump ka rivendosur politikën e “presionit maksimal” ndaj Iranit, duke mbështetur bisedimet, por duke paralajmëruar se do të ndërmarrë veprime ushtarake nëse diplomacia dështon. Nga ana tjetër, Irani synon një marrëveshje të re që do të çonte në lehtësimin e sanksioneve që kanë rënduar ndjeshëm ekonominë e vendit.

Raundi i fundit i bisedimeve në Muskat të Omanit përfundoi me përplasje publike mbi çështjen e pasurimit të uraniumit. I dërguari amerikan Steve Witkoff deklaroi se SHBA “nuk mund të autorizojë as edhe një për qind” pasurim uraniumi, që për Iranin është një vijë e kuqe, duke iu referuar të drejtave të tij sipas Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha para takimit të sotëm se mes dy vendeve ekzistojnë ende “dallime themelore”, megjithatë shtoi se Teherani është i hapur për më shumë inspektime në objektet bërthamore. “Nuk do të kemi asnjë marrëveshje nëse SHBA kërkon të ndalojë plotësisht pasurimin e uraniumit nga ana jonë,” deklaroi ai.

Takimi në Romë zhvillohet para mbledhjes së qershorit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) në Vjenë, si dhe përpara afatit të tetorit kur skadon marrëveshja e vitit 2015.

Marrëveshja e njohur si Plani Gjithëpërfshirës i Veprimit të Përbashkët (JCPOA) synonte të ndalonte Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore – një qëllim që Perëndimi ia atribuonte Teheranit, pavarësisht mohimeve të këtij të fundit. Në këmbim të kufizimeve në programin e tij bërthamor, Irani përfitoi lehtësime nga sanksionet ndërkombëtare, por marrëveshja u rrëzua në vitin 2018 me tërheqjen e njëanshme të SHBA.

Që prej atëherë, Irani ka përshkallëzuar aktivitetet bërthamore dhe po pasuron uranium në nivelin 60%, shumë më lart se kufiri 3.67% i marrëveshjes, por ende nën pragun prej 90% që kërkohet për material me përdorim ushtarak.

Ekspertët në Teheran nuk shprehen optimistë për një kompromis. “Është e thjeshtë: nëse SHBA pret që Irani të ndalë pasurimin, atëherë marrëveshja bie,” u shpreh analisti politik Mohammad Marandi.

Ndërkohë, tensionet me Izraelin, aleatin kryesor të SHBA, kanë qenë një prapaskenë e vazhdueshme e bisedimeve. Në një letër drejtuar OKB-së, Araghchi paralajmëroi se çdo sulm nga Izraeli mbi objektet bërthamore iraniane do të përfshinte edhe përgjegjësinë ligjore të SHBA.

Bisedimet e sotme në Romë pritet të përcaktojnë nëse do të ketë përparim drejt një marrëveshjeje të re, apo nëse përplasjet do të thellojnë më tej krizën bërthamore.