
Mbretëria e Bashkuar njoftoi të martën pezullimin e bisedimeve për një marrëveshje të re tregtare me Izraelin, duke vendosur gjithashtu sanksione ndaj disa kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor. Ky vendim vjen më pak se 24 orë pasi Londra paralajmëroi “veprime konkrete” nëse Izraeli nuk ndal ofensivën e tij të re ushtarake në Rripin e Gazës.
Presioni ndërkombëtar ndaj Izraelit po rritet, sidomos nga aleatët më të ngushtë, për shkak të bllokadës thuajse tre mujore të furnizimeve humanitare në Gaza, e cila ka shkaktuar paralajmërime serioze për krizë urie. Edhe Shtetet e Bashkuara, një nga aleatët më të ngushtë të Izraelit, kanë shprehur shqetësime për përkeqësimin e situatës humanitare.
Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, deklaroi se qeveria britanike nuk mund të vazhdojë bisedimet për përmirësimin e marrëveshjes tregtare me një qeveri që, sipas tij, ndjek politika të papranueshme si në Gaza, ashtu edhe në Bregun Perëndimor.
“Historia do t’i gjykojë ata,” tha Lammy. “Bllokimi i ndihmës, zgjerimi i luftës, shpërfillja e shqetësimeve të miqve dhe partnerëve , kjo është e pajustifikueshme dhe duhet të ndalet.”/AP