Vendosni fjalën kyçe....

Kapet në Firence një sasi prej 23 kg kokaine, arrestohen dy shtetas shqiptarë


Policia italiane ka arrestuar në Firence dy shtetas shqiptarë, një grua 38-vjeçare dhe një burrë 25-vjeçar, pasi u kapën në flagrancë me 23 kilogramë kokainë dhe një shumë të konsiderueshme parash. Të dy ndodhen tashmë në paraburgim në burgun e Solliccianos, në pritje të konfirmimit të masës së sigurisë.

Arrestimi u bë pas një operacioni të ndjekjes dhe vëzhgimit, ku oficerët e policisë konstatuan lëvizjet e dyshimta të të riut, i cili hyri në banesën e gruas dhe u largua pas pak minutash me një çantë në dorë. Brenda çantës u zbuluan gjashtë blloqe kokaine, të mbështjella me plastikë blu dhe të shënuara me numrin “357”.

Ndërkohë, 38-vjeçarja mbërriti në vendin e ngjarjes dhe tentoi të largohej me nxitim sapo pa policinë, por u kap dhe u ndalua pak më vonë. Gjatë kontrollit në banesë, oficerët gjetën edhe 14 blloqe të tjera kokaine të fshehura në një dollap, si dhe një shumë prej 11,450 eurosh në një kasafortë të fshehur pas një pikture.

Në total, u sekuestruan rreth 23 kilogramë kokainë e ndarë në 20 pako, të njohura ndryshe si “bukë”. Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrjetin e mundshëm të shpërndarjes dhe origjinën e drogës, ndërsa përgjegjësia përfundimtare e dy të arrestuarve do të përcaktohet nga gjykata në vijim.