Vendosni fjalën kyçe....

I dënuar për trafikim të qenieve njerëzore, 34-vjeçarit në Tiranë i sekuestrohen pasuritë


Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin “Real Owner”, duke sekuestruar një apartament dhe dy automjete me vlerë rreth 228 mijë euro, që dyshohet se janë përfituar nga veprimtari kriminale.

Pasuritë ishin të regjistruara në emër të babait të Ismail Gjinecit, 34 vjeç, i dënuar më herët për trafikim të qenieve njerëzore. Hetimet po vijojnë për identifikimin e aseteve të tjera që mund të jenë të fshehura në emra të tjerë.

Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Real Oëner”, për gjurmimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale.

Operacioni, nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

Sekuestrohen pasuri të një shtetasi të dënuar për trafikim të qënieve njërëzore.

Pasuritë (1 apartament dhe 2 automjete), me vlerë rreth 228 mijë euro, ishin regjistruar në emër të babait të shtetasit të dënuar.

Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, si rezultat i punës gjurmuese dhe hetimore të kryer në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të përfituara nga veprimtaritë kriminale, finalizoi operacionin “Real Oëner”.

Në kuadër të operacionit u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Tiranës, për vënien e sekuestros preventive mbi pasuritë e regjistruara në emër të babait të shtetasit I. Gj., 34 vjeç, banues në Tiranë, të dënuar për trafikim të qenieve njerëzore.

Konkretisht, u vu sekuestro mbi 1 apartament dhe 2 automjete, me vlerë rreth 228 mijë euro.

Në drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera të përfituara në mënyrë të kundërligjshme, që 34-vjeçari mund t’i ketë regjistruar në emër të shtetasve të tjerë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.