
Izraeli nisi të dielën një operacion të gjerë tokësor në Rripin e Gazës, i shoqëruar nga një fushatë intensive ajrore që, sipas autoriteteve shëndetësore në territorin palestinez, ka vrarë mbi 100 persona gjatë natës. Sulmet kanë çuar edhe në mbylljen e spitalit të fundit funksional në veri të enklavës.
Forcat izraelite kanë vepruar në të njëjtën kohë në veri dhe jug të Gazës, në një moment kur ndërmjetësuesit ndërkombëtarë po përpiqen të nxisin përparim në bisedimet për një armëpushim. Sipas televizionit al-Aqsa, të lidhur me Hamasin, negociatat kanë nisur pa parakushte në Doha, Katar, me pjesëmarrjen e zyrtarit të lartë të Hamasit, Taher Al-Nunu.
Megjithëse ka njëfarë optimizmi për dialogun, përparimi mbetet i paqartë. Një burim izraelit deklaroi të dielën se Izraeli është i gatshëm t’i japë fund luftës nëse Hamasi dorëzohet një kusht që duket i papranueshëm për grupin militant.
Hamasi, nga ana e tij, ka bërë të ditur se është i gatshëm të lirojë të gjithë pengjet izraelite në këmbim të një marrëveshjeje për ndaljen përfundimtare të luftës.

Ndërkohë, një zyrtar i lartë i Hamasit i tha CNN se grupi është i gatshëm të lirojë midis shtatë dhe nëntë pengje izraelite në këmbim të një armëpushimi 60-ditor dhe lirimit të 300 palestinezëve të burgosur apo të paraburgosur nga Izraeli.
Javën e kaluar, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu urdhëroi ekipin negociator të udhëtonte drejt Katarit për të vijuar bisedimet për armëpushim, por theksoi se do të negociojë vetëm mbi një propozim të prezantuar nga i dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.
Ky propozim parashikon lirimin e gjysmës së pengjeve që ndodhen në duart e Hamasit në këmbim të një armëpushimi të përkohshëm, pa përfshirë ndonjë garanci për përfundimin e luftës.
Ndërkohë, ish-presidenti amerikan Donald Trump ndodhej këtë të mërkurë në Doha, si pjesë e një vizite në Lindjen e Mesme, që nuk përfshinte Izraelin. Gjatë këtij muaji, Trump është shprehur se dëshiron t’i japë fund “luftës brutale” në Gaza.

Në përpjekjet e tij për të ndikuar situatën në rajon, Trump ka shmangur përfshirjen direkte të Izraelit në dy marrëveshje të rëndësishme. Javën e kaluar, Hamasi liroi një peng izraelito-amerikan, ndërsa rebelët Huthi në Jemen pranuan të ndalojnë sulmet ndaj anijeve amerikane në Detin e Kuq, megjithëse njoftuan se do të vazhdojnë luftën kundër Izraelit.