Vendosni fjalën kyçe....

Danimarka i premton 600 milionë dollarë ndihmë ushtarake Ukrainës


Danimarka ka njoftuar një paketë të re ndihme ushtarake me vlerë 618 milionë dollarë për Ukrainën, më së shumti municione artilerie.

Ndihma vjen ndërsa SHBA-ja vijon përpjekjet e saj për të arritur një zgjidhje midis Moskës dhe Kievit. Në një deklaratë të shtunën, ministria daneze e Mbrojtjes tha se ndihma përfshin financimin për sistemet e artilerisë, municione dhe pajisje për forcën ajrore të Ukrainës.

Mbështetja me vlerë 4.2 miliardë korona daneze, mbulon periudhën deri në vitin 2028. Ajo po financohet brenda kornizës për mbështetjen ushtarake nën Fondin e BE-së për Ukrainën dhe rimbursohet përmes Fondit Evropian të Paqes të bllokut.

Një pjesë e konsiderueshme e ndihmës daneze i është ndarë Nismës Çeke për Municionet e krijuar në vitin 2024 nga Danimarka, Republika Çeke dhe Holanda për të financuar blerjen e rreth 800,000 predhave të kalibrit të madh për Ukrainën,  shkruan Rt.

Programi, megjithatë, është përballur me kritika. Një hetim nga transmetuesi RFE/RL e financuar nga shteti amerikan dhe disa media të tjera zbuluan se kompanitë çeke të përfshira në prokurimin e predhave të artilerisë për Ukrainën morën komisione deri në katër herë më të larta se agjencitë shtetërore të Ukrainës.

Për më tepër, disa dërgesa mbërritën më vonë se sa ishte planifikuar, duke ndikuar potencialisht në planifikimin e mbrojtjes së Ukrainës. Në disa raste ka pasur edhe ankesa për municione të cilësisë së dobët.