
Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është paraqitur sot në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” të vendosur ndaj saj.
Gjatë një paraqitjeje të mëparshme më 5 maj, Xoxa është njoftuar nga prokurorët për një akuzë të re që lidhet me fshehjen e të ardhurave. Ajo po hetohet gjithashtu për disa vepra të tjera penale, përfshirë korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë, pastrim të produkteve të veprës penale, si dhe mosdeklarim apo deklarim të rremë të pasurisë dhe interesave private.
Hetimi ndaj Xoxës është pjesë e një dosjeje më të gjerë që përfshin dyshime për veprimtari kriminale dhe shkelje të ligjit për transparencën e pasurive të zyrtarëve publikë.