
Papa Leo XIV e filloi zyrtarisht mbretërimin e tij të dielën duke iu drejtuar konservatorëve që ndiheshin jetimë nën paraardhësin e tij, duke bërë thirrje për unitet, duke u zotuar të ruante trashëgiminë e Kishës Katolike dhe të mos sundonte si “një autokrat”.
Pas një udhëtimi të parë me makinë përmes një turme prej rreth 200,000 besimtarësh në sheshin e Shën Pjetrit dhe rrugët përreth, Leo u vendos zyrtarisht si pontifi i 267-të i Kishës Katolike Romake në një meshë në natyrë.
Dashamirësit valëvitën flamujt e SHBA-së dhe Perusë, me njerëz nga të dy vendet që e pretendojnë atë si Papën e parë nga kombet e tyre. I lindur në Çikago, pontifi 69-vjeçar kaloi shumë vite si misionar në Peru dhe gjithashtu ka nënshtetësi peruane.
Robert Prevost, i cili u bë kardinal vetëm dy vjet më parë, u zgjodh Papë më 8 maj pas një konklavi të shkurtër kardinalësh që zgjati 24 orë.
Ai pasoi Françeskun, një argjentinas, i cili vdiq më 21 prill pasi udhëhoqi Kishën për 12 vite shpesh të trazuara gjatë të cilave ai luftoi me tradicionalistët dhe mbrojti të varfërit dhe të margjinalizuarit.

Në predikimin e tij, të lexuar në italishte të rrjedhshme, Leo tha se si udhëheqës i 1.4 miliardë katolikëve romakë në botë, ai do vijojë trashëgiminë e Françeskut për çështjet sociale si luftimi i varfërisë dhe mbrojtja e mjedisit.
Ai u zotua se do përballet me “pyetjet, shqetësimet dhe sfidat e botës së sotme” dhe, në një shenjë drejtuar konservatorëve, ai premtoi të ruajë “trashëgiminë e pasur të besimit të krishterë”, duke bërë thirrje vazhdimisht për unitet.
Zv.presidenti amerikan JD Vance, një i konvertuar katolik i cili u përplas me Françeskun për politikat e vijës së ashpër të emigracionit të Shtëpisë së Bardhë, drejtoi një delegacion të SHBA-së së bashku me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, i cili është gjithashtu katolik.
Vance shtrëngoi shkurtimisht duart me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy në fillim të ceremonisë. Dy burrat u takuan për herë të fundit në shkurt në Shtëpinë e Bardhë, kur u përplasën ashpër para mediave botërore, shkruan Reuters.
Në një thirrje të shkurtër në fund të meshës, Leo trajtoi disa konflikte globale. Ai tha se Ukraina po “martirizohej”, një frazë e përdorur shpesh nga Françesku dhe bëri thirrje për një “paqe të drejtë dhe të qëndrueshme” atje.
Ai përmendi gjithashtu gjendje humanitare në Gaza, duke thënë se njerëzit në enklavën palestineze po “vdisnin në uria”.
Në mesin e atyre që ishin në turmë të dielën ishin shumë pelegrinë nga SHBA dhe Peruja.

Thirrja për unitet
Që kur u bë Papë, Leo ka sinjalizuar tashmë disa prioritete kyçe për papatin e tij, duke përfshirë një paralajmërim për rreziqet që paraqet inteligjenca artificiale dhe rëndësinë e sjelljes së paqes në botë dhe në Kishë.
Papati i Françeskut la një kishë të ndarë, me konservatorët që e akuzuan atë për mbjelljen e konfuzionit, veçanërisht me vërejtjet e tij të jashtëzakonshme për çështje të moralit seksual, siç janë bashkimet e të njëjtit seks.
Duke thënë se po merrte misionin e tij “me frikë dhe drithërima”, Leo përdori fjalët “unitet” ose “bashkim” shtatë herë të dielën dhe fjalën “harmoni” katër herë.
“Kurrë nuk bëhet fjalë për kapjen e të tjerëve me forcë, me propagandë fetare apo me anë të pushtetit. Përkundrazi, është gjithmonë dhe vetëm një çështje dashurie, siç bëri Jezusi,” tha ai, duke iu referuar dukshëm një lufte fjalësh midis katolikëve që e përkufizojnë veten si konservatorë ose përparimtarë.
Konservatorët akuzuan gjithashtu Françeskun se po sundonte në mënyrë të ashpër dhe u ankuan se ai nënçmoi shqetësimet e tyre dhe nuk u këshillua gjerësisht përpara se të merrte vendime.
Duke iu referuar Shën Pjetrit, apostullit të krishterë të shekullit të 1-të, nga i cili papët marrin autoritetin e tyre, Leo tha: “Pjetri duhet të kullosë kopenë pa iu dorëzuar kurrë tundimit për të qenë autokrat, duke e zotëruar atë mbi ata që i janë besuar. Përkundrazi, ai është thirrur t’i shërbejë besimit të vëllezërve dhe motrave të tij dhe të ecë përkrah tyre.”