Shtetet e Bashkuara duan që Teherani të braktisë ambiciet e tij bërthamore dhe synon ta ndjekë këtë qëllim përmes mjeteve paqësore, tha Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio në një intervistë për CBS News.
Ai u pyet nëse Uashingtoni kërkon që Irani të ndalojë pasurimin e uraniumit në çdo nivel, përfshirë për qëllime paqësore.
“Nëse jeni në gjendje të pasuroni hnë çdo nivel që keni tani, në thelb jeni në gjendje të pasuroni uranium në shkallën e armëve shumë shpejt. Dua të them, ky është vetëm një fakt thelbësor dhe të gjithë e dinë atë, dhe ky ishte problemi me marrëveshjen e Obamës. Por qëllimi përfundimtar këtu është i thjeshtë, Irani nuk mund të ketë kurrë një armë bërthamore,” u përgjigj ai.
Sekretari i Shtetit shtoi se presidenti amerikan Donald Trump do parapëlqente të zgjidhte mosmarrëveshjet me Teheranin përmes negociatave dhe jo me veprime ushtarake, shkruan Tass.
“Parapëlqimi i presidentit, duke qenë se atij nuk i pëlqen lufta, është ta arrijë këtë përmes një negociate paqësore. Në fakt, parapëlqimi i presidentit nuk është vetëm që Irani të mos ketë armë bërthamore, por që Irani të jetë një vend i pasur, paqësor dhe i begatë ku njerëzit e tij mund të jenë të lumtur. Ai dëshiron që ata të kenë një të ardhme më të mirë”, tha Rubio.
Shtetet e Bashkuara dhe Irani, të ndërmjetësuara nga Omani, kanë zhvilluar katër raunde negociatash që synojnë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve rreth programit bërthamor të Teheranit. Raundi i parë u zhvillua më 12 prill në Muscat, i dyti më 19 prill në Romë dhe raundi i tretë dhe i katërt u zhvilluan përkatësisht më 26 prill dhe 11 maj, përsëri në kryeqytetin e Omanit.
bi
