
Të paktën 21 persona kanë humbur jetën si pasojë e tornadove shkatërruese që goditën dy shtete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përcjell BBC.
Zyrtarët në Kentucky raportuan për 14 viktima nga moti i rëndë, ndërsa shtatë persona u konfirmuan të vdekur në Missouri, përfshirë pesë në qytetin e St. Louis.
Tornadoja në Kentucky goditi në orët e para të së shtunës në qarkun Laurel, në juglindje të shtetit, ku autoritetet njoftuan se numri i viktimave mund të rritet në orët në vijim.
Ndërkohë, në Missouri, tornadoja e së premtes shkaktoi dëme në mbi 5,000 ndërtesa, rrënoi çatitë dhe rrëzoi linjat e energjisë elektrike. Rreth 100,000 shtëpi dhe biznese në St. Louis mbetën pa energji elektrike.
Departamenti i Zjarrfikësve të St. Louis njoftoi se u kryen kërkime derë më derë në zonat më të goditura, ndërkohë që në një kishë pranë parkut Centennial tre persona u shpëtuan pas shembjes së pjesshme të godinës – njëri prej tyre nuk mbijetoi.
Shërbimi Kombëtar i Motit raportoi se tornadoja preku tokën rreth orës 14:30 me orën lokale në perëndim të qytetit, pranë Parkut Forest – ku ndodhet edhe Kopshti Zoologjik i St. Louis dhe vendi i Lojërave Olimpike të vitit 1904.
Në të dyja zonat më të goditura u vendos ndalimqarkullimi nga ora 21:00 deri në 06:00 për të parandaluar plagosjet nga mbeturinat dhe për të kufizuar mundësinë e grabitjeve.
Sherifi i qarkut Laurel në Kentucky, John Root, deklaroi në rrjetet sociale: “Kërkimet po vazhdojnë në zonat e dëmtuara për të gjetur të mbijetuar.”
Kryetarja e bashkisë së St. Louis, Cara Spencer, e quajti situatën “jashtëzakonisht të tmerrshme”:
“Humbja e jetëve dhe dëmet janë me të vërtetë të rënda. Na pret shumë punë në ditët që vijnë, por sot fokusi ynë është shpëtimi i jetëve, mbrojtja e njerëzve dhe lehtësimi i dhimbjes së komunitetit.”
Shërbimi Kombëtar i Motit shtoi se tornado të tjera janë regjistruar edhe në Illinois, ndërkohë që kushtet e motit të rëndë pritet të përhapen drejt bregut lindor të SHBA-së.