Vendosni fjalën kyçe....

Ish-kryeministri i Izraelit bën thirrje për revoltë qytetare kundër Netanyahut


Ish-kryeministri i Izraelit Ehud Barak ka bërë thirrje për një “revoltë qytetare” me synim rrëzimin e qeverisë së kryeministrit aktual Benjamin Netanyahu, për të cilin thotë se “vepron në mënyrë impulsive si një kafshë e mbyllur në kafaz”, përcjell The Times of Israel.

“Një flamur i zi i jolegjitimitetit valëvitet mbi çdo veprim të kësaj qeverie, dhe është detyrimi ynë qytetar të veprojmë në çdo mënyrë të mundshme për rrëzimin e saj, përpara se të na çojë në humnerë,” tha Barak, duke folur para rreth 1,000 protestuesve antiqeveritarë në Sheshin Habima.

Mes duartrokitjesh, Barak i bëri thirrje kreut të partisë Uniteti Kombëtar, Benny Gantz, që të mos tundohet të ribashkohet me qeverinë, nëse Netanyahu do ta ftojë sërish, “kur të ndiejë se posti i tij po lëkundet.”

Ai shprehu gjithashtu mbështetje për një plan që ngjan me modelin egjiptian për rindërtimin e Gazës: “Një qeveri teknokratike përkrah një burokracie palestineze, me financim nga Arabia Saudite dhe Emiratet, dhe me mbikëqyrje egjiptiane… asnjë anëtar i Hamasit nuk mund të marrë pjesë në këtë marrëveshje.”

Barak tha se një kornizë e tillë mund të kishte çuar në normalizimin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe Arabisë Saudite, si dhe në “përfshirjen e ngushtë të Izraelit në formësimin e të ardhmes së rajonit.”

“Por në vend të kësaj, Netanyahu njoftoi sot se po nis një luftë të pamend,” përfundoi Barak.

Ish-kryeministri, i cili në vitin 2000 ofroi një zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez, nuk përmendi faktin që Arabia Saudite e ka kushtëzuar normalizimin me ekzistencën e një rruge të besueshme drejt shtetësisë palestineze.