
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, nga Samiti i Komunitetit Politik Evropian që po zhvillohet në Tiranë, u shpreh se ky është një moment kritik për sigurinë e kontinentit dhe u bëri thirrje liderëve evropianë të mos e humbasin mundësinë për të ndikuar në zhvillimet ndërkombëtare, sidomos në konfliktet në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme.
Në një fjalim të mbajtur para të pranishmëve, Erdogan vlerësoi rëndësinë e bisedimeve teknike që po zhvillohen për zgjidhjen e krizës në Ukrainë, duke i cilësuar ato si një “mundësi që nuk duhet humbur” për të sjellë paqe në rajon.
“Është e rëndësishme që të mbështesim çdo përpjekje për paqe. Procesi që është hapur duhet të çojë drejt një zgjidhjeje të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë,” u shpreh presidenti turk.
Ai shtoi se Bashkimi Evropian duhet të tregojë më shumë angazhim në përpjekjet për vendosjen e një armëpushimi në Rripin e Gazës, duke theksuar se situata humanitare atje po përkeqësohet nga dita në ditë.
“Bashkimi Evropian duhet të reagojë. Gaza është plagë e hapur për ndërgjegjen botërore. Ndërsa fëmijët vdesin çdo ditë, nuk mund të qëndrojmë indiferentë,” deklaroi Erdogan.
Presidenti turk vuri gjithashtu theksin te nevoja për unitet brenda Evropës, duke e quajtur ndarjen një dobësi në kohë krize.
“Nuk duhet të përçahemi. Bashkë jemi më të fortë. Kjo është një kohë kritike për sigurinë evropiane dhe për të ardhmen e kontinentit,” tha ai.
Erdogan përmbylli mesazhin e tij me thirrjen për më shumë solidaritet, bashkëpunim dhe përgjegjësi të përbashkët përballë krizave që po sfidojnë sigurinë ndërkombëtare.