
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi nga Samiti i Unionit Demokratik Ndërkombëtar (IDU) në Bruksel se zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Shqipëri ishin ndër më të dhunuarat dhe u konsideruan nga përfaqësuesit ndërkombëtarë si një farsë elektorale.
Në prononcimin për mediat, Berisha theksoi se ndërhyrjet masive të krimit të organizuar, blerja e votës dhe përdorimi i burimeve shtetërore për qëllime elektorale ishin elementë që shkatërruan integritetin e procesit zgjedhor.
“Zgjedhjet në Shqipëri kishin rezonimin më negativ në forum. U cilësuan si më të dhunuarat dhe një farsë elektorale. U përdorën banda, u ble vota hapur dhe shteti u shndërrua në një monstër elektorale për të dhunuar vullnetin e qytetarëve,” deklaroi Berisha.
PD, e cila doli forca e dytë në zgjedhjet e 11 majit me rreth 520 mijë vota (33%), do të përfaqësohet me 50 deputetë në Kuvend, krahasuar me 83 të Partisë Socialiste që fitoi mbi 800 mijë vota (52%).
Berisha tha se përfaqësuesit e IDU-së mirëpritën me duartrokitje dhe përzemërsi fjalimet e tij dhe të aleatit Fatmir Mediu, ndërsa theksoi se opozita shqiptare nuk do të dorëzohet.
“U pritëm me mirëkuptim dhe mbështetje. Ka një njohje të thellë të realitetit shqiptar, përfshirë edhe raportet kritike të ODIHR, Parlamentit Europian dhe Këshillit të Europës,” tha ai, duke shtuar: “Këto janë vetëm hapat e parë të një beteje që opozita do ta fitojë. Edi Rama këtë mandat nuk do ta gëzojë.”
Berisha përmendi gjithashtu katër rezoluta të IDU-së që adresojnë problematikat zgjedhore në Shqipëri dhe kërkoi përshpejtimin e veprimeve të organizatave ndërkombëtare për të garantuar procese të lira dhe të ndershme në të ardhmen.