Të paktën dy spitale në Rripin e Gazës janë goditur nga sulmet ajrore izraelite këtë javë, sipas raportimeve nga ekipet mjekësore dhe ndihmës së parë.
Të martën, avionë luftarakë izraelitë hodhën gjashtë bomba njëherësh mbi Spitalin Evropian në Khan Younis, duke shkaktuar 28 viktima dhe dhjetëra të plagosur, njoftoi agjencia e mbrojtjes civile e kontrolluar nga Hamasi.
Kirurgu britanik Dr. Tom Potokar, i cili punonte me organizatën ndërkombëtare bamirëse IDEALS, deklaroi për BBC se shpërthimet ndodhën pa asnjë paralajmërim dhe goditën drejtpërdrejt zonën spitalore.

Ushtria izraelite tha se kishte kryer një “sulm të saktë” ndaj një “qendre komande të Hamasit”, që sipas saj ndodhej nën spital. Hamasi i ka mohuar vazhdimisht këto akuza.
Të plagosurit dhe viktimat u transferuan në Spitalin Nasser, gjithashtu në Khan Younis, i cili ishte goditur më herët të njëjtën ditë. Nga ky sulm humbën jetën dy persona, sipas burimeve mjekësore dhe dëshmitarëve.
Në një deklaratë zyrtare, ushtria izraelite përsëriti se Hamasi vazhdon të përdorë strukturat shëndetësore për aktivitete ushtarake një pretendim i hedhur poshtë nga grupi palestinez.
Ndërkohë, situata humanitare në Gaza vazhdon të përkeqësohet. Që nga fillimi i marsit, Izraeli ka bllokuar hyrjen e çdo ndihme humanitare, përfshirë ushqim dhe ilaçe, gjë që është dënuar nga organizatat ndërkombëtare dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB). Kjo e fundit ka paralajmëruar për një “rrezik kritik urie” që po përfshin 2.1 milionë banorët e Gazës.

Një vlerësim i fundit i mbështetur nga OKB-ja, i publikuar të hënën, vlerëson se rreth 500 mijë persona – ose një në pesë po përballen me urinë ekstreme. Raporti gjithashtu parashikon se deri në prill 2026, rreth 71 mijë fëmijë nën moshën 5 vjeç do të vuajnë nga kequshqyerja akute.
Organizatat e ndihmës paralajmërojnë se bllokada izraelite mund të përbëjë një krim lufte dhe një politikë urie të qëllimshme.
Nga ana tjetër, Izraeli mohon ekzistencën e një krize urie në Gaza, duke pretenduar se ka ndihma të mjaftueshme, por po vendos presion ndaj Hamasit për lirimin e pengjeve të mbetura. Sipas Tel Avivit, të gjitha veprimet ushtarake po zhvillohen në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
Në sulmet ajrore të fundit në gjithë territorin e Gazës janë vrarë mbi 40 persona, raportojnë burime spitalore. Të paktën 36 trupa janë dërguar në spitalet e jugut, të cilat janë përballur me bombardime intensive gjatë natës./BBC